Mes krizës së COVID-19, amerikanët pothuajse harruan pasojat e gripit që zakonisht është më i përhapur në stinën e dimrit. Por në këtë sezon gripi, disa persona po preken nga të dyja sëmundjet në të njëjtën kohë.
Në një periudhë 24-orëshe në javën e parë të vitit të ri, qyteti i Los Anxhelosit në Kaliforni regjistroi mbi 37,000 raste të reja me COVID-19. “Aktualisht po marr veten nga COVID-i. Sapo mbarova periudhën e vetëizolimit. Është e tmerrshme, ndodhi kaq shpejt. Ne nuk e kishim idenë, dhe pastaj të katër njerëzit në shtëpinë time u sëmurën. Askush nuk hyn më në shtëpinë time pa u testuar”, thotë Malique, banore e Los Anxhelosit.
Por Omicroni nuk është problemi i vetëm këtë sezon dimëror. Mjekët po shohin tashmë raste të njerëzve që sëmuren me atë që ata e quajnë ‘Flurona’, një kombinim i infeksionit me koronavirus dhe gripit. Ekspertët e sëmundjeve infektive thonë se nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të re.
“Nuk kemi të bëjmë me një virus të ri, kështu që nuk jam i sigurt pse dikush doli me këtë emër ‘flurona’. Kjo në fakt nuk është diçka e re. Ne e kemi ditur këtë që nga fillimi i pandemisë, por ajo që është e re është se njerëzit i kanë vënë një emër”, thotë Dr. Timothy Brewer, ekspert i sëmundjeve infektive në Univeristetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.
Në Los Anxhelos tashmë janë shënuar rastet e para të ‘fluronës’. “Kjo ka të ngjarë të ndeshet më shpesh në hemisferën veriore aktualisht, sepse vendet e këtij rajoni janë në sezonin e tyre të gripit, dhe gjithashtu ka një rritje të rasteve me Covid-19 për shkak të variantit ngjitës të Omicronit. Kështu që, ka shanse më të mëdha që të shohim më shumë njerëz të infektuar me të dyja viruset.”
Profesori epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, Timothy Brewer thotë se njerëzit e vaksinuar janë të mbrojtur mirë dhe nuk ka shumë gjasa të infektohen me ‘fluronën’, dhe nëse ata infektohen nuk duhet të kenë ndërlikime. Por ekspertët e shëndetit thonë se ky infeksion mund të jetë më i rrezikshëm për personat e pavaksinuar.
“Kam marrë tre dozat e vaksinës, kështu që shpresoj të jem e sigurt. Thjesht do të qëndroj në shtëpi dhe nuk do të dal jashtë nëse nuk e kam të nevojshme. Gjithsesi unë jam nga ata njerëz që u pëlqen të rrinë në shtëpi”, thotë Jackie, banore e Los Anxhelosit.
Autoritetet në Kaliforni kanë zgjatur edhe me një muaj afatet për mbajtjen me detyrim të maskave. Koncertet dhe festivalet e planifikuara, tashmë kanë filluar të anulohen në zonën e Los Anxhelosit. Megjithatë, kryebashkiaku i Los Anxhelosit Eric Garcetti ka premtuar se ngjarja kryesore sportive e vitit, finalja e kampionatit të futbollit amerikan, Superbolli, nuk do të anulohet. Ajo do të zhvillohet më 13 shkurt, pavarësisht situatës me pandeminë.
Top Channel