Nino Cerruti ndërroi jetë të shtunën në moshën 91-vjeçare pas komplikacioneve nga një operacion, siç njoftoi një zëdhënëse e Lanificio Fratelli Cerruti.

Cerruti, i cili lindi në Biella, një nga qendrat kryesore të tekstilit të Italisë, ishte një figurë kyçe në industrinë ndërkombëtare të modës, i respektuar dhe i njohur për elegancën, mirësinë dhe sjelljet e tij.

“Për familjen, bashkëpunëtorët, miqtë e Lanificio Cerruti dhe për modën italiane sot është një ditë e trishtuar sepse me vdekjen e zotit Nino bota humbet një njeri me talent, një stilist të jashtëzakonshëm, një vizionar përpara kohës dhe një mentor i madh, të cilit shumë u janë borxhli”, tha Lanificio Fratelli Cerruti në një deklaratë.

Gjyshi i tij kishte themeluar një fabrikë tekstili në Biella në 1881, Lanificio Fratelli Cerruti. Duke u mbështetur nga përvoja e tij në prodhimin e pëlhurave të shkëlqyera, Cerruti u angazhua në prodhimin e veshjeve në fund të viteve 1950.

Koleksioni i tij i parë për meshkuj, Hitman, u shfaq në vitin 1957 dhe u konsiderua revolucionar në veshjet e meshkujve në atë kohë.

Linja e veshjeve për meshkuj Cerruti u lansua në vitin 1967 dhe do të pasohej nga një koleksion veshjesh për femra një vit më vonë.

Butiku i parë Cerruti u hap në vitin 1967 në Place de la Madeleine në Paris, ku Cerruti zhvendosi selinë e kompanisë për të qenë më afër kryeqytetit ndërkombëtar të modës. Prodhimi i pëlhurave me emrin Lanificio Fratelli Cerruti dhe labeli Hitman mbeti në Itali.

Në vitet 1980, Cerruti filloi një bashkëpunim me botën e filmit. Nga “Bonnie and Clyde” dhe “Pretty Woman” tek “Basic Instinct”, marka Cerruti dizajnoi rroba për aktorë si Michael Douglas, Jack Nicholson, Tom Hanks, Bruce Ëillis, Sharon Stone, Julia Roberts, Robert Redford, Harrison Ford, Al Pacino ose Jean Paul Belmondo.

Ai madje pati role në filmat e vitit 1996 “Catwalk” dhe “Cannes Man”, dhe në filmin e vitit 1998 “Holy Man”. /Telegrafi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA