Imazhi i një vajze që mban një buqetë me lule në dorë në një nga pallatet e Tiranës dhe ai i një vajze në momente meditimi pranë një pallati te NSHRAK-u, janë kualifikuar në 100 finalistet për t’u shpallur vepra më e mirë në botë për vitin 2021.
Vepra e piktorit Gera në kuadër të “Mural Fest 2021” që u organizua në Tiranë dhe ajo Wild Drawing ia kanë dalë që të renditen tek veprat më të mira në botë për artin e rrugës ose siç njihet ndryshe Street Art.
Për 12 muajt e fundit, Street Art Cities zgjodhën disa nga muralet më të mira në të gjithë globin dhe i shpërndanë ato në sondazhet e tyre të njohura të Instagram Story duke lënë audiencën të vendosë. Kjo rezultoi në një listë me 100 veprat më të njohura të artit të vitit 2021, mes tyre dhe dy nga Tirana.
Street Art Cities është një platformë globale me një mision për të promovuar dhe dokumentuar artin urban në botë.
Pjesë e kësaj platforme janë 900 qytete me mbi 35 mijë vepra arti. 100 veprat më të mira të artit, ku bën pjesë dhe “Serena” e artistit shqiptar që mori pjesë në “Mural Fest 2021” dhe ajo Wild Drawing do i nënshtrohen një sondazhi në internet dhe fituesi do të shpallet të dielën më 6 shkurt.
“Mural Fest” u organizua nga Dekor Tirana, nën kujdesin e posaçëm të dy kuratorëve të njohur, Helidon Haliti dhe Qirjako Josifidhi.
Për të votuar për muralen më të mirë për vitin 2021, klikoni në këtë LINK:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSfYEDuRxZUgQHAacmQzRZfXScJUx1X49pKRp4Mwfv2RPmEQ4g/viewform
Top Channel