Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernández, nuk e fshehu mërzitjen për eliminimin në kohën shtesë nga Reali i Madridit në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.

Gjithsesi, tekniku i “blaugranave” tha se duke përjashtuar minutat e para, e kishte parë skuadrën e tij në një nivel më të lartë, çka jep shpresë për të ardhmen.

“Mendoj se kemi qenë më të mirë se Reali për sa i përket dominimit të lojës. Ishim të kujdesshëm në tranzicion dhe kjo është mënyra e duhur për të qenë konkurrentë. Mund të jemi krenarë sepse kemi konkurruar kundër tyre dhe është një hap përpara, pavarësisht rezultatit. Jemi në rrugën e duhur.”

I pyetur për disa lojtarë, si Ansu Fati, Pedri, apo debutuesi Ferran Torres, trajneri i Barçës shpjegoi:

“Të tre e kanë ndihmuar ekipin dhe do ta ndihmojnë shumë, si Ferrani, Pedri, Ansu Fati. E pamë se çfarë është në gjendje të bëjë Ansu, u fut në pjesën e dytë dhe bëri diferencën.

Xavi foli edhe për një tjetër protagonist të lojës, Luuk de Jong, që e gjeti sërish golin:

“E kam thënë që Luuk është pjesë e skuadrës, në fund të fundit ne jemi Barça, në fushë luan ai që e meriton. Si mund ta largojmë Luuk de Jongun nëse shënon gola dhe zhvillon lojëra të mira. E kam thënë edhe më parë se ai ishte shembull për ekipin dhe nëse vazhdon të performojë në këto nivele, do të vazhdojë të luajë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA