Të 30 anëtarët e NATO-s janë bashkuar kundër veprimit ushtarak rus në Ukrainë, tha më 7 janar misioni i Shteteve të Bashkuara në këtë aleancë, pas një takimi virtual të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
“Ministrat e Jashtëm të të gjitha shteteve të NATO-s ritheksuan unitetin tonë në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës gjatë takimit të sotëm të jashtëzakonshëm”, tha misioni përmes një postimi në Twitter.
“Përpara takimit të Këshillit NATO-Rusi, ministrat theksuan nevojën për diplomaci, dialog dhe shtensionim të situatës”, u tha më tej në deklaratën e misionit.
Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics komentoi në Twitter pas përfundimit të takimit.
“Takim i mirë i ministrave të Jashtëm të NATO-s. Uniteti i aleatëve, mbrojtja efikase, kolektive dhe mbështetja për partnerët tanë janë elementet kryesore për ta trajtuar sjelljen agresive të Rusisë”, tha ai në Twitter. “Ne jemi të gatshëm që të angazhohemi në dialog me Rusinë, por jo në kurriz të vlerave apo parimeve tona kryesore”, shtoi ai.
Ministrat e Jashtëm mbajtën takimin virtual në mes të paralajmërimeve të Perëndimit pas grumbullimit të dhjetëra mijërave trupave ruse në kufi me Ukrainën, teksa presidenti rus, Vladimir Putin po kërkon garanci që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO.
Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se rreth 90,000 trupa ruse dhe pajisje janë vendosur pranë kufirit ukrainas.
Moska vazhdimisht ka akuzuar SHBA-në për destabilizim në Detin e Zi dhe në rajonin përreth, duke thënë se vendosja e trupave ruse është çështje e brendshme e Rusisë.
Lidhur me shqetësimet për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia, por edhe për garancitë e sigurisë që po kërkon Moska, diplomatët amerikanë dhe rusë do të takohen në Gjenevë më 10 janar, në përpjekje për të ulur tensionet.
Po të njëjtën ditë, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, do të vizitojë selinë e NATO-s në Bruksel.
Këshilli NATO-Rusi do të takohet më 12 janar për të diskutuar për Ukrainën dhe uljen e rrezikut. Ky do të jetë takimi i parë i këtij këshilli që prej vitit 2019./ REL
Top Channel