Ekzekutohet me armë 35-vjeçari në Peqin/ Pista kryesore hakmarrja, vëllai i tij vrau një person në qershor

27/12/2021 09:37

Një 35-vjeçar është vrarë me armë zjarri këtë të hënë në fshatin Gjoçaj të Peqinit rreth orës 08.39 të mëngjesit.

Në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri në rrugë Albi Bashaliu, banues në fshatin Gjoçaj.

Ai është vëllai i Leonard Bashaliut i cili është i dënuar me burg pasi në qershor të këtij viti ka vrarë Ylber Xhahysën, për një konflikt të ndodhur pesë vite më parë, pasi viktima i kishte gërvishtur makinën.

Viktima, i cili ishte edhe  pronar kabllori, ka qenë ulur në lokal, por pas disa minutash ka mbërritur Leonard Bashaliu dhe e ka qëlluar me katër  plumba. Sherri me autorin e vrasjes, Bashaliun nisi për shkak të një konflikti që kanë pasur pesë vite më parë për gërvishtjen e makinës.

Autori ka deklaruar në polici se viktima e kishte qëlluar me grusht para pesë vitesh dhe mëngjesin e sotëm kishte arritur të përballej me të dhe ta vriste. Ai ka treguar se ka qenë edhe në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të situatës familjare sepse babai i tij është i paralizuar ndërsa vëllai vuan nga epilepsia.

Ylber Xhahysa, personi që vrau Leonard Bashaliu në qershor, vëllai i viktimës Albi Bashaliu

Për këtë arsye, pista kryesore në të cilën po heton policia është se ekzekutimi i 35-vjeçarit është vrasje për hakmarrje.

Vetë viktima Albi Bashaliu ishte arrestuar në vitin 2017, pasi kishte qëlluar me automatik mbi dy persona. Gjatë një konflikti  për motive të dobëta ai qëlloi mbi V.SH., 57 vjeç, banues në fshatin Gjocaj dhe A.B., 38 vjeç, banues në Peqin. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, ndërsa kuptohet se Bashaliu ka qenë një person problematik.

Zona është rrethuar dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit apo autorëve, të cilët pasi kanë vrarë Bashaliun janë larguar me makinën e tij dhe më pas e kanë djegur.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve.

FOTO GALERI
1/19
Pamje nga vendi i vrasjes

Top Channel