Vendimet e qeverisë, Rama: Do pyesim shqiptarët për integrimin në BE, “Ballkanin e Hapur”, legalizimin e kanabisit e ashpërsimin e dënimit të autorëve përsëritës

24/12/2021 12:50

Kryeministri i vendit, Edi Rama në komunikimin për media pas mbledhjes së qeverisë nisi fjalën e tij me një thirrje për t’u përqendruar në bashkëpunim për të mirën e vendit dhe lënë pas sherrin politik që gjithmonë ka qenë mes qeverisë dhe opozitës dhe së fundmi edhe brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se qytetarët do të pyeten përmes një formulari që do të jetë online apo do dërgohet me postë për disa prej çështjeve më të rëndësishme në vend.

Me një pyetësor që do t’jua  japim, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor. Është koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara duke u këshilluar së bashku për vendime që kanë impakt të drejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, dhe patjetër në përpjekjen jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi”, tha Rama.

Të ndara në pjesë, Rama preku disa prej çështjeve që u diskutuan sot në mbledhjen e qeverisë.

Sa i përket anëtarësimit te Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ai tha se shqiptarët do të pyeten nëse duan që aplikimi për në BE të jetë bashkë me Maqedoninë e Veriut, apo jo, pas ngërçit të krijuar nga Bullgaria që prek edhe vendin tonë.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i lidhur me një veto të vendosur mbi Maqedoninë Veriut nga një shtet i tetë dhe gjithmonë më shumë ka një debat brenda vendit që sigurisht nuk mund të jetë jashtë qeverisë. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë, ka të tjerë që mendojnë se ne mund të presim dhe duhet të presim në funksion të ruajtjes së këtij kohezioni dhe në funksion të marrëdhënies së veçantë që kemi me Maqedoninë  Veriut. Kemi përpara një gjashtë mujor që do të jetë me rëndësi të veçantë, por ne duhet t’u drejtojmë shqiptarëve një pyetje, duhet ne të vendosemi në pozitën e  qartë  nëse do kërkohet ndarja nga Maqedonia e Veriut”, tha Rama.

Nisur nga situatat e fundit të krimit në vend, ai tha se do të kërkohet mendimi i qytetarëve për ashpërsimin e dënimit të autorëve përsëritës.

“Kemi çështjen e situatës në të cilën u gjetëm së fundmi, krimet ekstreme të dhunës, duke pasur parasysh që një pjesë e opinionit kërkon një ashpërsim ekstrem në dënimin e autorëve përsëritës, në të njëjtën kohë përmban edhe një standard të caktuar dhe procesin tonë për botën që jetojmë e duam nga qytetarët opinionin e tyre”, tha Rama.

Sipas tij, do kërkohet mendimi i qytetarëve për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kalojnë Vettingun që të pezullohen në vend nga sistemi i drejtësisë dhe të thirren në SPAK.

“Kemi dhe një temë tjetër ku kemi hasur problematikë. Është që nga njëra anë ne mendojmë se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar vettingun por marrin haptasi vendime të paligjshme duhet të pezullohen në vend nga sistemi i drejtësisë. Kemi pasur disa raste flagrante që nga rishikimet e dënimeve të monstrave që kanë tronditur shoqërinë deri tek tjetërsimi i pronës. Po ju jap një rast për ilustrim.

Angazhohet qeveria e Shqipërisë për qendrën e fëmijëve me teatër kukullash, me skema teatrore, përcaktojmë vendin tek ish Garda, prona është e shtetit, bëjmë projektin, japim financimin dhe çfarë ndodh? Kur jemi gati të fillojmë punën, na del që një gjykatëse ka bërë sigurim padie dhe jep vendimin një javë para se të largohet nga vettingu. Kjo gjykatëse, emri i së cilës nuk më kujtohet, duhet të thirret nga SPAK, sot jo nesër, si të gjithë ata që nuk e kanë kaluar vettingun dhe duhet të shkojnë para gjyqit se kanë grabitur njerëzit duke shitur e blerë të drejtat“, tha kreu i qeverisë.

Legalizimi i kanabisit është një nga temat më të nxehta, që u prek sot edhe nga kryeministri i vendit.  Në listën e pyetësorit, do të jetë nëse shqiptarët duan që të lejohet ligjërisht legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore.

“Kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është një instrument që shumë vende po e përdorin, ndërkohë që sot në Shqipëri thonë që nuk është ende koha, një ndër ta kam qenë edhe unë, e kam kundërshtuar, por në këndvështrimin tim dhe tonin duket se s’do të presim më, por është një vendimmarrje që është mbi bindjen tonë dhe duhet të marrim një opinion më të gjerë nga të gjithë shqiptarët”, tha Rama.

Ndihma e nënave me tre ose më shumë fëmijë që janë edhe në punë, është një tematikë tjetër që do të kërkohet mendimi i qytetarëve, duke përmendur se një pjesë e mendojnë si diskriminim të një pjesë që kanë vendosur të kenë më pak fëmijë.

“Kemi hedhur një hap të parë për të adresuar problematikën e nënave me ndihmë ekonomike dhe ato me tre fëmijë ose më shumë, por a jemi të gatshëm të adresojmë më tej çështjen kur ato janë të punësuara, sepse bëhet fjalë për një dypunësim me kohë të plotë dhe a është e gatshme shoqëria ta japë këtë mbështetje,  pasi përbën edhe një diferencim”, tha Rama.

Pyetja e fundit e njërës prej gazetareve të pranishme duket se e zuri pak ngushtë kryeministrin. Ai tha se vija e kuqe mes atyre që shkelin ligjin është shumë e qartë, referuar pyetjes nëse shqiptarët do të pyeten për skandalet e zyrtarëve.

 “Vija e kuqe është e qartë dhe e përcaktuar, ata që janë të përfshirë duhet të jenë jashtë”, tha Rama.

Top Channel