Në pikëkalimin e Kakavijës në prag të Krishtlindjeve ka një fluks të shtuar të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë qarkulluar rreth 5700 vetë shumica e të cilëve, rreth 4200 në hyrje për në Shqipëri. Kuadri i masave për Covid 19 i detyron ata të paraqesin për autoritetet çertifikatë vaksinimi ose një test PCR ose antigen të shpejtë. Në rast se këto dokumenta mungojnë personat detyrohen të karantinohen deri ne 10 ditë dhe izolimi i tyre ndiqet nga shërbimet shëndetësore pranë adresave që kanë dhënë në kufi. Shtetasit në hyrje janë nga e gjithë Shqipëria dhe në shumicën e tyre kanë shumë kohë pa e vizituar familjen kjo për shkak të një viti të vështirë por edhe kufizimeve që diktoi pandemia në të dy vendet.

 “Po shkoj në Elbasan ku më pret familja. Kemi 6 muaj pa ardhur dhe ka qenë një vit shumë i vështirë.”

“Do të shkojmë në Durrës tek gjyshërit. Kemi që prej verës që s’vijmë. Në përgjithësi ka qenë një vit i mirë, pak vështirë me shkollën prej pandemisë.”

“Unë kam dy vjet pa ardhur nga Preveza se ka pasur dhe kufizime. Po shkoj në Berat Për mua nuk ka qenë dhe aq keq por shpresojmë që ky vit të jetë më i mirë e të ketë shëndet për të gjithë.”

Në dalje nga Shqipëria në 24 orët e fundit u regjistruan rreth 1500 qytetarë. Për ta përveç cerfitikatës së vaksinimit është i detyrueshëm edhe një test negativ PCR ose i shpejtë për të hyrë në Greqi. Ashpërsimi i masave dhe kufizimet për grumbullimet gjatë festave në shtetin grek ka reduktuar disi edhe lëvizjen.

Gjithashtu PLF ( passenger locator form) duhet të plotësohet nga çdo qytetar në hyrje në Greqi të paktën një ditë para udhëtimit.

Top Channel