Hetohen pagat por dalin dhe targat/ Prokurorët po marrin në pyetje personat e dyshuar për nxjerrjen e sekretit

24/12/2021 19:08

Të dhënat personale vijojnë të marrin arratinë mbasi në ditën e tretë të skandalit u publikuan targat e makinave dhe pronësia e tyre, megjithatë për prokurorinë zbulimi i punonjësve që shpërdoruan detyrën është çështje kohe.

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj garanton hetime të shpejta.

Duke u bazuar tek provat që kanë mbledhur grupi i hetimit është i bindur se nuk bëhet fjalë për hakerim nga jashtë sistemit, por nga hapja e rubinetit të të dhënave nga punonjës të institucioneve nën hetim.

Gjatë ditës një grup hetuesish mbas sekuestrove , kanë vijuar marrjen në pyetje të punonjesve shtetërore pranë AKSHI-t, Institutit të sigurimeve shoqërore dhe tatimeve.

Por me gjithë dritëhijet nga njëra anë dhe rrëfimeve interesante nga ana tjetër, shpresa e vetme mbetet gjurmimi i logimeve.

Sidomos këto tre ditë të shpërndarjes së të dhënave personale që duhet të mbroheshin me ligj, pyetja kush janë përgjegjësit i adresohet drejtësisë.

Top Channel