Kryeministri Edi Rama ka zhvillua ditën e sotme një takim me qytetarët e Elbasanit, në lidhje me prezantimin e Ligjit për Bashkëqeverisjen.
Rama bëri me dije se ligji aktualisht është kthyer në kuvend nga Presidenti i Republikës, por do të votohet sërish nga legjislativi ashtu siç është, pa asnjë ndryshim.
Gjithashtu kryeministri u shpreh se tashmë me digjitalizimin e 95% të shërbimeve shtetërore, qytetarëve nuk u duhet të presin më në radhë dhe të paguajnë ryshfet, por mund t’i marrin shërbimet përmes telefonit nga shtëpia.
Një nga shqetësimet kryesore e qytetarëve është problematika e vjetër e zvarritjeve, pengesave, ryshfeteve për të marrë shërbime në administratë.
Por, sot, ne kemi të gjitha arsyet të besojmë objektivisht se në mos 100%, 90% pa asnjë ekzagjerim të gjithë problematikës së këtyre marrëdhënieve, kemi në dorë ta zgjidhim me pak vullnet të mirë dhe me gatishmërinë e qytetarëve për të bërë një ndryshim shumë të thjeshtë në këto marrëdhënie, duke mos shkuar, shumë e thjeshtë, në zyra për të marrë shërbime, por duke shfrytëzuar të gjithë sistemin e ri të shërbimeve online përmes telefonit smartphone ose kompjuterit më të afër.
Sot, ne kemi në dispozicionin tuaj 1209 shërbime, që mund të merren nga telefoni ose nga kompjuteri më i afërt, që janë 95% të shërbimeve publike, që do të thotë që nuk është e nevojshme për të shkuar në asnjë zyrë, nuk është e nevojshme për të njohur asnjeri, nuk është e nevojshme për të pritur në asnjë radhë. Kjo mund të duket çudi deri kur secili mund ta provojë.
Sot e-Albania është emër i njohur për të gjithë, edhe falë asaj fatkeqësie që na ra, pandemisë, ku një masë e madhe qytetarësh u detyruan të njiheshin me e-Albania nga halli.
Fatkeqësisht, nëse nuk do kishte rënë kjo fatkeqësi, do ishte ende sot një pjesë e madhe e qytetarëve që nuk do ta dinin se ku bie e-Albania, sado që ne të bënim promovim për këtë punë sepse problemi kryesor me të cilin edhe vende të tjera janë përballur në këtë transformim kaq rrënjësor të marrëdhënieve të popullit me shtetin, të qytetarëve me administratën është pikërisht inercia e traditës së vjetër të të bërit të gjërave, e shkuarjes nëpër radha, e marrjes në kontakt me zyrtarët, e kërkimit të rrugëve për të gjetur se si të mund të merret një shërbim i caktuar, duke ndjekur të njëjtën rrugë të vjetër”, tha Rama.
Në rast se qytetari nuk do të marrë një përgjigje brenda afatit për dokumentin që kërkon, atëherë për punonjësit e administratës do të ketë edhe sanksione, tha më tej Rama.
Top Channel