Përhapja e Omicron, llojit të ri të koronavirusit, është e pamundur të parandalohet.

Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer në një konferencë për mediat, i cili ndër të tjera deklaroi se masat e marra do të ndihmojnë në kufizimin e tij sa më shumë të jetë e mundur.

Ishte e detyrueshme të merreshin disa masa, jo për ta mbajtur virusin jashtë Evropës apo pjesës tjetër të botës, pasi të gjithë e kuptojnë se një gjë e tillë është e pamundur, por për të ngadalësuar sa më shumë përhapjen e tij dhe për t’u dhënë kohë autoriteteve shëndetësore evropiane dhe ofruesve tanë të vaksinave të përshtaten”, tha ai.

Siç vuri në dukje edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkencëtarëve u duhen dy deri në tre javë për të studiuar mutacionin e ri të koronavirusit.

Në këtë kohë, është shumë e rëndësishme të zvogëlohet numri i kontakteve dhe nëse do të jetë e mundur, të vaksinohen njerëzit kundër Sars-Cov-2.

Sipas saj, prodhuesit e vaksinave duhet të fillojnë menjëherë t’i përshtasin produktet e tyre me llojin e ri Omicron.

Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera, duke përfshirë edhe Rusinë kanë ndaluar udhëtimet nga disa vende afrikane.

Ta paktën 44 persona kanë rezultuar të infektuar me llojin e ri të koronavirusit, Omicron. Ata janë identifikuar në disa vende të Bashkimit Evropian, por asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë problem serioz për jetën.

Më 30 nëntor të vitit 2021, 44 raste të konfirmuara me SARS-CoV-2 Omicron janë identifikuar në 11 vende të Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane. Të gjitha rastet e raportuara janë asimptomatike ose mesatarisht simptomatike. Nuk ka pasur asnjë rast të rëndë të raportuar deri më tani ose asnjë viktimë”, thuhet në një deklaratë të ECDC.

Varianti i ri i Covid-19, Omicron u zbulua nga shkencëtarët javën që kaloi në Afrikën e Jugut. Që atëherë, raste të tjera janë raportuar përtej Afrikës Jugore, duke përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Izraelin, Australinë, Britaninë e Madhe dhe disa vende të tjera.

Dhe me paralajmërimin e OBSH-së se varianti Omicron paraqet një rrezik shumë të lartë në botë, shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë të dhëna rreth transmetueshmërisë dhe sa efektive do jenë vaksinat e koronavirusit kundër tij.

Mirëpo, një nga mjekët e parë që vuri re simptomat dhe që dyshoi për një lloj të ndryshëm të koronavirusit është shprehur se varianti Omicron ka shfaqur simptoma të buta dhe për më tepër mund të trajtohet në shtëpi.

Dr.Angelique Coetzee, e cila është kryetare e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, i tha Reuters se më 18 nëntor, ajo vuri re shtatë pacientë në klinikën e saj që kishin simptoma të ndryshme nga varianti Delta.

Ajo trajtoi rreth 30 pacientë dhe tha se simptoma më e zakonshme ishte lodhja.

Lodhja është një nga simptomat më të zakonshme që pacientët shfaqin. Por edhe dhimbja e lehtë e kokës, trupit dhe një ngacmim në fyt”, tha Dr.Coetzee.

Ajo theksoi se ndryshe nga varianti Delta, pacientët deri më tani nuk kanë raportuar humbje të shijes apo nuhatjes. Dhe as një rënie të theksuar të nivelit të oksigjenit.

Ndërkohë në kuadër të situatës së krijuar nga varianti i ri OBSH ka kërkuar nga 194 vendeve që të përshpejtojnë vaksinimin e grupeve me prioritet të lartë dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar shërbimet shëndetësore.

Ndërsa në lidhje me faktin nëse imuniteti dhe vaksina do të ndihmojnë në shmangien e infektimit nga lloji i ri i virusit, OBSH është shprehur se një përgjigje e tillë pritet që të jepet në ditët në vijim.

Në reagimin e saj Organizata Botërore e Shëndetësisë  bën thirrje vendeve anëtare që të përshtatin udhëzimet e tyre të udhëtimit ndërkombëtar në kohën e duhur duke kryer një vlerësim të rrezikut dhe sqaron se do të ofrohen udhëzime shtesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA