Urimi i deputetit të PS Bujar Çela për festat e nëntorit kolegët e tij në komisionin e sigurisë, ku diktatori Enver Hoxha shfaqej mbi flamurin kombëtar, ka hapur debate dhe reagime të shumta.
Duke folur në emisionin “Open”, Drejtuesja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, Jonila Godole iu drejtua sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Gjon Bruçi, duke i thënë se nëse Shqipëria do ishte vend normal ai do të ishte në burg për qëndrimet e tij pro diktatorit.
Ndërsa Bruçi tha se borgjezia e lë të lirë sepse kështu e ka nën kontroll dhe i frikësohet një puçi apo revolucioni të mundshëm.
Pjesë nga debati
Godole: Nëse ky do të ishte një vend normal ju do ishit në burg. Nuk do kishit mundësi të kishit këtë deklaratë. Nëse ky do të ishte vend normal, popull me dinjitet, që në fillim të ’90 do të kishte kërkuar shpalljen e paligjshme të Partisë Komuniste, sidomos sa i përket kontestit me të cilin funksionoi, çfarë krimesh kreu. Ju do të mbanit përgjegjësi ligjore duke u dënuar me burg.
Bruçi: Unë jam anëtar i Partisë Komuniste. Kam dalë jashtë ligjit në ’92 dhe kam ndejtur në ilegalitet. Nuk kam frikë se më nxjerr borgjezia jashtë ligjit, megjithëse je vajzë e re dhe nuk e di historinë e Partisë Komunistë. Komunistët veprojnë më shumë në ilegalitet sesa në rrugë legale.
Godole: Me atë ilegalitet na sollët gjithë ato të mirat pastaj.
Bruçi: Borgjezia më ka lënë të lirë sepse më ka nën kontroll se mund të bëj ndonjë puç apo ndonjë revolucion.
Godole: Zotëri kurdisni orën dhe të jeni mirënjohës që ky nuk është një shtet normal. Po të ishte normal nuk do të flisnit kështu.
Bruçi: Unë e kam babën dëshmor të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe është larë me gjak ajo punë. Nuk i trembem as burgut as vdekjes. Emri i Enver Hoxhës nuk mund të shkulet as nga Alibeaj, as nga mijëra Alibeaj.
Top Channel