Përjashtimi i Berishës/ Kryedemokrati Basha në Open: Ishte ditë dramatike për mua dhe demokratët

25/11/2021 21:11

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte, e ka përshkruar si një ditë dramatike vendimin e marrë për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ai theksoi se ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë pas bashkëpunimit me të prej shumë vitësh.

“Ndryshe nga Berisha unë nuk kam shkelur dhe as nuk kam ndërmend të shkel mbi arritjet e përbashkëta të cilat kanë qenë për shqiptarët, duke i parë edhe në prizmin që ai na ka vendosur edhe në dritëhijet, dëmet dhe problemet që kemi shkaktuar gjatë qeverisjes sonë, por mos të shohim të djeshmen me sytë e interesit të sotëm”, tha Basha.

“Më 9 shtator unë mora një vendim bazuar në statutin e miratuar në kohën që Berisha ishte. Mund t’ju them sot që ka qenë një ditë dramatike për demokratët dhe për mua personalisht”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se e mori këtë vendim të vështirë për të shmangur koston e demokratëve, nisur nga thirrja e SHBA-së.

“Një marrëdhënie 16-vjeçare qoftë si kreu i PD,  qoftë si bashkëpunëtor me të, askush tjetër nuk ka bashkëpunuar më afër nga të gjithë demokratët dhe për të këtë arsye. Kjo u bë që të shmangte koston e demokratëve.”

Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.

Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.

Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.

Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.

Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.

Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.

Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.

Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA