Tragjedia e ndodhur të mërkurën në ngushticën detare mes Anglisë dhe Francës, të cilin të fundit e quajnë La Mansh dhe anglezet “The English Channel”, ku humbën jetën rreth 30 burra e gra, mes tyre edhe tre fëmijë, por asnjë shqiptar mes tyre, në një mënyre a në një tjetër mund të përmblidhet në togfjalëshin “Mirësevini në Britaninë e post- Brexit”.
Kjo pritej të ndodhte por më e rënda është se kjo tragjedi me kargo humanitar ka gjasa të përsëritet sërish, pasi ka shumë faktor që do duhen ndryshuar dhe ribërë nga e para, që të ofrojnë shpresë për frenimin e tyre.
Britania sipas francezeve, dhe jo vetëm, ofron një sistem gjeneroz ndihmash sociale dhe mundësi të shumta punësimi, të cilin trafikantët e qenieve njerëzore ua paraqesin emigranteve si “El Doradoja angleze”, ndërkohë anglezet nga ana e tyre thonë se francezët po lejojnë trafikantët nën hundën e tyre ta shndërrojnë ngushticën me trafikun më të rënduar detar në botë në varrezë, përmes symbylljes dhe inkurajimit indirekt të kalimeve ilegale, edhe për shkak të inatit të pasosur për ikjen e Britanisë nga BE-ja.
Por nuk janë vetëm këto faktorë. Janë një sërë parametrash ligjorë në Britani që inkurajojnë ardhjen në ishull të emigrantëve dhe e vështirësojnë moskthimin e tyre në vendet e origjinës, ose vendet e para të sigurta, sidomos në kontinentin evropian.
Argumentueshëm, shumica e atyre që kërkojnë të vijnë ilegalisht në Britani janë emigrantë ekonomik dhe Evropa mund të ofroje mbrojtje të mjaftueshme politike dhe sigurie, nëse vërtetë janë emigrantë politik, që i ikin persekutimit në vendet e tyre apo zonat e luftës dhe konflikteve. Nëse Britania, e cila tashmë është jashtë Evropës politike dhe institucionale e ka gjithnjë e më të vështirë bashkëpunimin për çështjet e emigracionit me BE-në, do mund të adoptojë politika punësimi dhe qëndrimi legal kur ekonomia e saj ka praktikisht nevoja ulëritëse për krah pune pas Brexit, gjasat janë që kalimet ilegale të frenohen disi, nëse merret i mirëqenë edhe bashkëpunimi me partnerët evropiane.
Në të kundërt, Britania do vazhdojë të jetë magnet për mijëra emigrantë nga e gjithë bota, përfshi edhe Shqipërinë. Kur bota e krimit është gjithmonë një ose disa hapa para organeve ligjzbatuese, gjasat janë që veshi të na mësohet me tragjedi të tilla njerëzore!
Top Channel