Ndarja nga jeta e Hueyda El Saied, flasin miqtë e saj: Ka pasur jetë të trishtë dhe me vuajtje, por ishte gjithmonë e buzëqeshur

23/11/2021 14:32

Ka ndërruar jetë në moshën 46 vjeçare Hueyda El Saied, një nga emrat më të njohur të ekranit si balerinë, moderatore, piktore dhe artiste.

Disa prej miqve të saj kanë folur në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel për largimin e saj nga jeta në mënyrë të parakohshme si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Albi Nako: Mund të kem shumë raste me Hueydën por e mbaj mend gjithmonë të buzëqeshur dhe me momente të bukura, dhe pse jeta e vet nuk ka qenë aq e bukur. Në këtë jetë vijnë disa njerëz për të na treguar vërtetë shpirtin e tyre të bukur dhe fakti që ikin në mënyrë të padrejtë, kjo na trishton të gjithëve.

Altin Hazizaj: Jam njohur me të që para Fakultetit dhe e njihja edhe para kësaj kohe sepse qëllonte që kalonte thuajse në të njëjtën rrugë çdo ditë. Në fakt, premise për tu takuar ka ardhur nga Evi Kokalari, ishin mikesha të ngushta bashkë dhe ka qenë edhe vajza e Kadaresë, ky grup që jemi njohur dhe kemi lënë një pikë takimi që përveç se konsumonin pak alkool, do të bënim anti rrymën në fillim të viteve ’90. Piktura mbrapa meje është dhuratë nga Hueyda.

Albatros Rexhaj: Kam pasur rastin ta takoj në evente apo emisioni. Kemi kaluar një rrugë së bashku në një taksi dhe për 10 minuta më ka dhënë një përshkrim të jetës së saj, përfshirë faktin se si ka përfunduar në Shqipëri, vendin që ia jepte dhe ia vriste ëndrrat. Sot mëngjes kur e mora lajmin mu kujtua ajo bisedë që ne kemi bërë. Pas bisedës me të, mënyra ime se si e shihja Tiranën ka ndryshuar. Ajo ishte njeri që nuk e fshihte faktin që kishte lumturi, trishtim dhe vuajtje që realiteti shqiptar ta ngjiz.

Vajza me baba sudanez dhe nënë shqiptare u bë shumë e njohur që në fillim të viteve 90. Fatkeqësisht ajo nuk mundi t’i mbijetojë një sëmundje të rëndë që e preku kohët e fundit dhe e largoi edhe nga vëmendja e publikut. Hueyda ishte pjesë e spektaklit në Shqipëri që në moshë shumë të re si pjesë e programeve televizive shumë të njohura.

Ajo ka qenë pjesë edhe e Top Channel në disa programe, ndërsa së fundmi ishte angazhuar edhe me pikturën. Këto janë disa nga punimet e saj të cilat janë ekspozuar në disa ekspozita të ndryshme. Në vitin 1994 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Francë, ku vazhdoi karrierën e saj në kërcim duke marrë pjesë si balerin dhe koreograf në kanalet televizive franceze.

Ajo kërceu në shfaqje të ndryshme televizive për këngëtarët dhe grupe te famshme të muzikës dhe u bë edhe pjesë e videoklipeve të tyre. Është autore e dy romaneve, por më se shumti u njoh për angazhimin e saj në television, si balerinë apo edhe aktore në disa filma artistikë në Francë. Së fundmi jetonte në Luksemburg me familjen e saj.

FOTO GALERI
3/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA