Fier, protestuesit sulmojnë gjykatën/ Kërkojnë dënim kapital për vrasësin e 8-vjeçarit Mateo Vasiu

18/11/2021 19:32

Në një situatë tejet të tensionuar, Gjykata e Fierit dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 38 vjeçarin Klodian Çalamani i akuzuar për vrasjen makabre të 8 vjeçarit Mateo Vasia dy ditë më parë në fshatin Daullas.

Por situata në Gjykatën e Fierit është tensionuar nga familjarët e 8 vjeçarit, çka e detyroi Gjykatën të japë masën e sigurisë në mungesë. Familjarë të Mateo Vasisë ikanë hyrë me dhunë në ambientet e gjykatës ndërsa janë konfrontuar edhe me policinë. Ata kanë kërkuar dënim kapital për monstrën që i mori jetën një fëmije.

Por familjarët e Mateos sot nuk kanë qenë vetëm. Qytetarët e Fierit i janë bashkuar protestës së tyre pranë gjykatës për të kërkuar varjen e Klodian Çalamanit. Qytetarët e Fierit sot ndihen të pasigurtë për jetën dhe mosbesues ndaj drejtësisë, e cila disa vite më parë i dha 38 vjeçarit dënim minimal për një krim të ngjashëm.

Protesta e familjarëve të Mateos ka vijuar më tej në sheshin kryesor të Fierit nga ku ka nisur firmosja e një peticioni ku kërkohet dënimi kapital për Klodian Çalamanin. Qindra qytetarë firmosën peticionin.

8-vjeçari Mateo Vasia u masakrua dy ditë më parë nga fqinji i tij Klodian Çalamani, 38 vjeç dhe më pas u gropos. Krimi i rëndë ka tronditur shqiptarët, të cilët drejtojnë gishtin e akuzës nga gjykata, prokuroria e policia.

Top Channel