Një diplomat rus është gjetur i pajetë muajin e kaluar jashtë ambasadës së vendit të tij në kryeqytetin gjerman.

Trupi i pajetë i diplomatit u gjet i shtrirë në një trotuar nga policia.

Mediat gjermane shkruajnë se viktima mund të ketë rënë nga lartësia, por rrethanat e ngjarjes vazhdojnë të jenë ende të paqarta.

Ambasada ruse e konsideroi vdekjen e diplomatit të saj një aksident tragjik.

Lajmi për vdekjen e diplomatit rus është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, por nuk u dhanë detaje të tjera.

Policia në Berlin ende nuk ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen, e cila u raportua për herë të parë të premten.

Mediat shkruajnë se diplomati rus ishte i moshës 35-vjeç dhe mbante pozicionin e sekretarit të dytë në ambasadën ruse.

Në një deklaratë për mediat, ambasada ruse tha se “procedurat në lidhje me riatdhesimin e trupit u zgjidhën menjëherë me autoritetet përgjegjëse gjermane”.

Në të njëjtin njoftim, ambasada thotë se “spekulimet që janë publikuar në disa media perëndimore mbi shkaqet e vdekjes së diplomatit janë krejtësisht të pavërteta”.

Top Channel