SHBA fut kompaninë izraelite në listën e zezë: “Krijoi Pegasus”!

04/11/2021 14:31

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtuan katër firma të huaja teknologjike në listën e vet të zezë tregtare, dhe një prej tyre është kompania izraelite e cila qëndron pas softuerit të diskutueshëm Pegasus.

Kur shpërtheu skandali i Pegasuses kohët e fundit, u tha se ai është përdorur nga shtete të caktuara për të kontrolluar telefonat e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve. Tani, SHBA-ja e ka vendosur prodhuesin e tij, NSO Group, në “listën e subjekteve” me të cilat ndalon marrëdhëniet e biznesit.

Firma reagoi e tronditur nga vendimi dhe insistoi se teknologjia e saj ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke “parandaluar terrorizmin dhe krimin”. Organizata, prej kohësh, pohon se softueri i saj i shitet vetëm ushtrisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në vende ku respektohen të drejtat e njeriut.

Por, muaj më parë, ajo është akuzuar për shitje të teknologjisë së saj te qeveritë autoritare, të cilat më pas kanë shënjestruar njerëz të pafajshëm. Kompanitë e tjera në listë janë Candiru e Izraelit, Positive Technologies e Rusisë dhe Iniciativa për Sigurinë Kompjuterike e Singaporit PTE. LTD.

Top Channel