Adoleshentja që një vit më parë ‘u bë e njohur’ kur dhunoi dhe grabiti një të moshuar në Lushnjë dha sot një intervistë për “Shqipëria live”.
Kristjana Beqiri është shumë aktive në rrjetet sociale “Instagram” dhe “TikTok”, ku dhe shprehet ‘krenare’ për veprimin e saj.
Ajo thotë se nuk kishte asnjë problem me Lumen (të moshuarën që dhunoi), por sulmi ishte një mesazh për mbesën e saj.
“Nuk do e bëja një veprim kot, kisha arsye nga pas. Nuk ishte për para, se do ishte gjëja më e ndyrë. Kam pasur probleme ndaj Megit, mbesës së Lumes. I thashë Lumes pyet mbesën për këtë që të ndodhi sot. Këto ngjarje janë shumë të përballueshme për jetën time”.
Me zë të lartë dhe të sigurt, Kristjana pranon se nuk është penduar aspak.
“Nuk jam penduar.Nuk është dhunë psikologjike, gjithsecili ka mendjen e vet. Edhe traumat që kam kaluar unë nga mbesa e saj nuk janë pak”.
Kështu, adoleshentja e arsyeton vjedhjen dhe dhunën ndaj 64-vjeçares Lume Zela në Lushnjë si hakmarrje.
18-vjeçarja u ndihmua nga i dashuri i saj Julian Kiptiu, me të cilin thotë se kishin “një lidhje misterioze” për të hyrë në banesë e për të grabitur sendet me vlerë, ndërsa të moshuarës i ka hedhur spraj lotësjellës,e ka dhunuar dhe mbyllur në dhomë.
Në intervistë, ajo thotë se tani punon modele dhe nënkupton se nëse ndihet e kërcënuar nga të tjerë, sërish do të bënte të njëjtin veprim.
Gazetarët e ftuar në emision shprehen të shqetësuar dhe thonë se vajza ka nevojë për trajtim.
“Nëse nuk ishte për të vjedhur, pse shkoi të merrte sende me vlerë? Vajza ka probleme në sjellje, ajo po bën një kërcënim publik, dhe duke u hequr si ‘gango’ fatkeqësisht ndiqet nga shumë të rinj. Ky fenomen është shqetësues”, thotë gazetarja Rudina Muça.
“Po e promovon si arritje atë që ka bërë dhe kjo është e rëndë. Nuk është vetëm problemi i rrjeteve sociale, këta të rinj shfqin këto sjellje gango-je edhe në shoqëri”, shprehet Antoneta Koçi.
Top Channel