Fiks Fare/ “Leja gjatë zgjedhjeve të 2019-ës”, banorët mbrojnë me hunj pyllin në Laknas të Kamzës

02/11/2021 20:40

Dhjetëra banorë të Laknasit, në Kamzë, po mbrojnë një pyll, teksa prej javësh janë përleshur me punonjës të një firme që do të bëjë një thertore.

Fiks Fare bisedoi me banorët që tregojnë se pyllin e kanë mbrojtur gjatë gjithë kohës, pasi është e vetmja mushkri e zonës. Por, ajo pronë prej 12400 metra katrorësh, është dhënë me qira për 66 mijë lekësh të reja në vit, për 20 vite me radhë për t’u ndërtuar një thertore dhe stalla bagëtish. Në momentin e dhënies me qira, prona është cilësuar nga Bashkia Kamëz “zallishte”, çka e ndihmoi firmën që mos të merrte leje nga Pyjet apo nga Agjencia e Mjedisit. Madje, nuk u pyetën as banorët. IKMT-ja ka cilësuar se në këtë sipërfaqe është një pyll dhe jo “zallishte”. Por, thertorja po ndërtohet ngjitur me banesat, kur në fakt duhet të ketë një distancë prej 1000 metrash. Madje, duhet të ketë distancë edhe nga lumi, kur në fakt po ndërtohet buzë lumit dhe brenda në pyll!

Banorët tregojnë se pylli ka qenë prej shumë kohësh në atë zonë dhe është mbrojtur me fanatizëm nga banorët vendas. “E mbrojmë nga lumi dhe është e vetmja mushkri. Na pastron edhe ujërat e lumit, pasi kemi vetëm ujë pusi. Por, mirë me këto probleme, por tani do na ndërtojnë një thertore ngjitur me banesat. Në vendin ku është pylli. S’ka as distancë nga banesat private” thotë një banor. Një tjetër pohon se punonjësit e firmës shkojnë në orën 3 të natës sikur janë hajdutë. “Mbrohen nga policia, e cila gjithmonë mban anën e tyre. Nuk dimë ku t’i drejtohemi, as bashkia s’na mbështet” thotë njëri prej tyre. Ndërkohë na tregojnë edhe një ekskavator që ka shkuar në zonë në orën 3 të natës. Disa gra thonë se janë ngritur në orën 3 të natës dhe në duar kanë hunj dhe shkopinj. “Do e mbrojmë me gjak” thonë gratë. Ato pohojnë se është dhënë një leje ndërtimi nga ish kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, për të ndërtuar këtë thertore. Madje, në zonë do të rritën edhe derra dhe lopë. “Të na marrin dhe të na shpërngulin ne nëse bëhet” thonë ata. Në momentin e dhënies me qira, prona është cilësuar nga Bashkia Kamëz “zallishte”.

Në momentin që gazetarët e Fiks Fare shkuan në Laknas, në afërsi të pyllit mbërrijnë punonjës të policisë dhe të IKMT-së. Banorët ankohen edhe për veprimet policore. Gazetarët pyesin një prej inspektorëve të policisë për një informacion, por nuk përgjigjet. E ndjekim disa metra, por na thotë se “më lër të bëj punën, shkoni merrni përgjigje zyrtare”. Ne e pyesim se çfarë procedime penale janë hapur, për firmën apo për banorët e zonës. Dhe, nëse është marrë apo jo në përgjegjësi firma e cila ka hyrë në një pyll. Inspektori nuk pranon të përgjigjet. Në vendngjarje janë edhe disa punonjës të IKMT-së, ata vëzhguan vendin ku hyri ekskavatori për të parë nëse janë prerë apo jo pemë. Sipas një shkrese të IMT-së, në zonë ka pemë, çka zona konsiderohet si pyll dhe jo “zallishte”. Ndërkohë, pyesim edhe përfaqësues të firmës, por askush “nuk ëshë përgjegjës!”. Ndërkohë, për ekspertin mjedisor, Sazan Guri, e gjithë “kleçka” është te dhënia me qira nga ana e bashkisë së kësaj prone, pasi bashkia e ka cilësuar si “zallishte”, ndërkohë zonë është pyll. Sipas tij, për t’u konstatuar pyll duhet të jenë 600-900 pemë për hektarë, ndërkohë në zonë ka 1700 pemë. “Është pyll i dendur” thotë.

Fiks Fare disponon kontratën e qirasë mes Bashkisë Kamzë dhe subjektit “Bioproducts” shpk, me administrator z.Bledar Daci. Qiramarrja është për 20 vjet, ndërkohë vlera e kontratës është 66.990 lekë në vit. Ndërkohë, në nenin 2 të kontratës shkruhet se “jepet me qira 12400 metra katrorë zallishte”. Një përfaqësi e banorëve shkon në Bashkinë e Kamzës, ku takon kryetarin Rakip Suli. Kryetari u thotë se dhënien me qira e ka bërë ish-kryetari Xhelal Mziu në mënyrë abuzive. Sipas tij, bashkia nuk e zhbën dot më këtë kontratë, pasi mbi bazën e kësaj kontrate ka dalë edhe leja e ndërtimit. Sipas tij, duhet të vendosë prokuroria dhe gjykata. Për Fikin, Suli thotë se ka bërë kallëzim, pasi leja është dhënë në momentin që paraardhësi i tij po linte karrigen e kryetarit të Bashkisë Kamzë.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA