Kancelarja Merkel mbërriti mbrëmë në Greqi, kryeministri Mitsotakis e mori për darkë në shtëpinë e tij

29/10/2021 11:56

Kancelarja në largim e Gjermanisë Angela Merkel ka mbërritur dje ne mbrëmje në Greqi e pritur me ndjenja, reagime dhe komente të ndryshme nga qarqet politike, opinioni publik dhe mediat vendase dhe ato ti huaja, pasi kriza financiare që përjetoi Greqia ka karakterizuar pjesën më të madhe të pozicionimeve të saj dhe marrëdhënieve me BE.

Mbërritja e Merkelit është komentuar edhe për faktin se liderja gjermane ka mbërritur në Athinë në mbrëmjen e festës kombëtare  kur Greqia feston ditën e 28 tetorit të vitit 1940, dita kur vendi refuzoi një ultimatum nga Italia fashiste për të lejuar trupat e Boshtit të hynin në Greqi dhe ky refuzim solli hyrjen e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, duke e përballur atë me pushtimin e egër nga Gjermania naziste pak më vonë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka pritur kancelaren  për darkë ne shtëpinë e tij, ndërsa sot në mëngjes ajo ka filluar takimet zyrtare në fillim me presidenten e Greqisë Katerina Sakellaropoulou.

Në këtë moment Merkel dhe Mitsotakis kanë dalë në një konferencë të përbashkët shtypi, ku përveç marrëdhënieve dypalëshe vend të veçantë zënë çështjet e emigracionit, problemet e Greqisë, por edhe të BE me Turqinë.

Gjithsesi është karakteristik shkrimi i gazetës gjermane BILD me titull “Falimentimi grek i kushtoi Evropës 600 miliardë lekë”. Midis të tjerash në artikull shkruhet se kancelarja Angela Merkel  ndodhet në Greqi “ende në vendin e tretë në listën e gjermanëve të urryer pas Adolf Hitlerit dhe Ëolfgang Schoible ”, ndaj dhe ajo dëshiron të mbyllë këtë kapitull duke synuar t’i thotë lamtumirë krizave të saj, krizës financiare dhe krizës së refugjatëve. “Të dyja erdhën  nga Greqia” –përfundon shkrimi.

Top Channel