“Shpërthen” mes Parisit dhe Londrës/ Franca ultimatum: Sekuestroni anijen britanike!

28/10/2021 17:04

Franca ka sekuestruar një peshkarexhë angleze, nën akuzën se ka shkelur ujërat e saj territoriale, një incident ky që rikthen tensionet e lindura mes dy vendeve pas Brexit-it për çështjen e peshkimit.

Parisi kërcënon të bllokojë lëvizjen e mallrave nga Britania e Madhe dhe furnizimin energjetik, ndërsa Boris Johnson nga ana e tij shprehet i gatshëm për kundërpërgjigje. Ky episod përbën një përshkallëzim të papritur të situatës mes dy vendeve. Të drejtat e peshkimit i kanë vënë prej muajsh përballë njëra tjetrës qeverinë franceze dhe atë britanike.

Pas Brexit-it, peshkatarëve francezë u duhej leje e posaçme për të hyrë në ujërat britanike, por Parisi ankohet se këto leje jepen me pikatore, duke vënë në rrezik industrinë e peshkimit në Francë. Nga këtu erdhi dhe ultimatum: Nëse deri në 2 nëntor nuk do të marrë leje të mjaftueshme, Franca kërcënon t’i mohojë varkave angleze hyrjen në portet e saj dhe ta ngadalësojë ndjeshëm trafikun e mallrave në kanalin e La Manshit, e kjo praktikisht, nënkupton në thelb, një luftë tregtare nga të dy kampet që rrezikon të mos ndalojë këtu, sepse Franca  ka lënë të kuptohet se mund të bllokojë edhe furnizimin me energji të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo e fundit merr  95% të energjisë së saj nga Franca përmes tre kabllove të fuqishme nënujore.

Top Channel