Ministri turk tallet me Dendias: Qan si fëmijë, në çdo mbledhje ankohet për Turqinë!

28/10/2021 17:08

Ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu e kritikoi dhe një herë Greqinë për qëndrimin e saj në Mesdheun Lindor, dhe theksoi se vendi i tij nuk ka për të lejuar që të injorohen të drejtat dhe interesat e tij.

Gjatë një interviste televizive, kryediplomati turk e fshikulloi ashpër homologun grek, Nikos Dendias, duke thënë se ai “qan si fëmijë”. “Në çdo takim të mundshëm ndërkombëtar, Dendias qan e ankohet për Turqinë. Të gjitha këto, padyshim vijnë nga një kompleks inferioriteti se nuk ka shpjegim tjetër”, u shpreh Cavusoglu, që nënvizoi në fjalën e tij përpjekjet e vazhdueshme të Athinës për të përfshirë edhe palë të treta në tensionet e Mesdheut Lindor.

Ministri shtoi se Ankaraja nuk do të lejojë asnjë lëvizje që të ndryshojë ekuilibrat në rajon. “Ne e mbështesim ligjin ndërkombëtar. Mbështesim ndarjen e drejtë. Por kur ata përpiqen të na heqin të drejtat tona, atëherë do të bëjmë gjithë çfarë është e nevojshme për t’i mbrojtur ato, në tryeza bisedimesh por edhe në terren. Jemi në të drejtën tonë, dhe jemi të gatshëm ta mbrojmë atë deri në fund”, tha Cavusoglu.

Turqia ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdheun Lindor dhe i refuzon pretendimet e kufijve detare të ngritura nga qeveritë greke e qipriote, për të cilat thotë se shkelin të drejtat e saj sovrane.

Top Channel