Lajm i mirë nga Gjermania: Rimëkëmbje e madhe ekonomike në vitin 2022!

28/10/2021 17:11

Efektet e pandemisë do të vazhdojnë ta zbehin dhe për disa kohë rritje ekonomike, madje edhe pa ndonjë izolim të ri mbarë kombëtar thotë ministri gjerman i ekonomisë, Peter Altmaier.

“Kemi përpara një dimër të dytë pandemik”, tha politikani i CDU në Berlin, në prezantimin e parashikimeve vjeshtore për gjendjen ekonomike në vend. Sipas tij, Gjermania nuk do të ketë nevojë për ndonjë lockdown të ri, por numri i lartë i infektimeve mund të “ketë efekte negative ekonomike”.

Megjithatë, situata pritet të ndryshojë ndjeshëm vitin e ardhshëm. Në parashikimet e qeverisë federale thuhet “se vendi  është kthyer në rrugën e rritjes ekonomike që kishte përpara krizës së koronavirusit.

Në vitin 2022, besohet se ekonomia gjermane do të “shënojë një rritje shumë më të vrullshme“. Ngadalësimi i saj erdhi kryesisht për shkak të pengesave me mungesën e lëndëve të para për punë. Altmaier foli për një mungesë historike të mallrave.

Ai vuri në dukje se prodhuesit gjermanë të automjeteve aktualisht nuk janë në gjendje të bëjnë gati qindra mijëra makina për shkak të mungesës së komponentëve elektronikë. Kërkesa për produkte gjermane në tregjet botërore mbetet e lartë: “Nëse pengesat me pjesë të makinave zvogëlohen, në vitin 2022 do të ketë një rritje të dukshme“, u shpreh ministri.

 

 

Top Channel