FCC i ndalon kompanisë kineze të komunikacionit të veprojë në SHBA

28/10/2021 10:05

Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) i Shteteve të Bashkuara i ka hequr lejen kompanisë shtetërore kineze të telekomunikacionit, China Telecom, që të operojë në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë kombëtare.

Vendimi i së martës nga FCC-ja, agjencia rregullatore e të gjitha komunikimeve telefonike, të internetit dhe me video në Shtetet e Bashkuara, kërkon që filiali i kompanisë, China Telecom Americas, të ndërpresë të gjitha shërbimet brenda 60 ditëve, duke i dhënë fund operacioneve të saj 20-vjeçare në SHBA.

Agjencia tha se kontrolli i firmës nga qeveria kineze përbën “rrezik të konsiderueshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit”, pasi i jep asaj mundësi qasjeje tek komunikimet e SHBA-së dhe ndërprerje të tyre dhe rrjedhimisht i hap rrugën përdorimit të informacionit “për spiunazh dhe aktivitete të tjera të dëmshme kundër Shteteve të Bashkuara.”

Një zëdhënës i kompanisë China Telecom, më e madhja e telekomunikacionit në Kinë, e quajti vendimin e FCC-së “zhgënjyes”, duke shtuar se kompania planifikon “të ndjekë të gjitha alternativat në dispozicion duke vazhduar njëkohësisht t’u shërbejë klientëve.”

Vendimi është masa e fundit e qeverisë amerikane për të kufizuar qasjen në teknologjinë dhe tregjet amerikane për kompanitë kineze të telekomunikacionit, që filluan gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.

FCC-ja i përcaktoi kompanitë Huawei Technologies dhe ZTE si kërcënime të sigurisë kombëtare vitin e kaluar, duke i ndaluar qasjen në të dhënat e Shteteve të Bashkuara për shkak të shqetësimeve se mund të përdornin rrjetin e ri 5G për të përgjuar amerikanët.

China Telecom dhe dy firma të tjera shtetërore, China Mobile dhe China Unicom, u përjashtuan nga bursat amerikane në fillim të këtij viti pasi ish-administrata Trump dha një urdhër që ndalonte amerikanët të investonin tek këto firma./VOA/

Top Channel