Ekspertët gjermanë: Infektimet do shtohen, duhen më shumë vaksinime të treta

27/10/2021 15:38

Me ftohjen e motit, njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambjente të brendshme të mbyllura dhe kjo do të sjellë pashmangshmërisht rritjen e infektimeve, thonë ekspertë të Institutit Robert Koch në Gjermani.

Në këtë vend, incidenca shtatëditore në fundjavë ishte sërish treshifrore dhe u rrit në rreth 110 të infektuar për 100.000 banorë.

Vetëm një javë më parë incidenca ishte 74.4. Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve, specialistet dhe politikanët kanë kërkuar shtimin e numrit të personave që vaksinohen për herë të tretë, për të moshuarit dhe grupet e rrezikut.

Vaksinimet e treta nevojiten urgjentisht për këto grupe të rrezikuara, thotë Dirk Heinrich, Kryetar Federal i Shoqatës së Mjekëve Virchow, për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.

Eugen Brysch, anëtar i bordit të Fondacionit Gjerman për Mbrojtjen e Pacientëve, u ankua gjithashtu për një “proces të ngadaltë” të vaksinimit.

Tani po na duket se ishte e gabuar heqja e qendrave të vaksinimit dhe ekipeve mobile për vaksinim”, tha ai.

Sipas Ministrisë federale të Shëndetësisë, vetëm 1.6 milionë gjermane kanë marrë një vaksinë të tretë deri tani. Në Gjermani deri tani plotësisht janë vaksinuar 55.1 milionë njerëz, ose 66.2 për qind e popullsisë.

Top Channel