“Aleate që sillet si kundërshtare”, ligjvënësit në SHBA kundër shitjes së F16 Turqisë

27/10/2021 16:09

Edhe pse e ka dritën jeshile të administratës Biden, Turqia ishte e përgatitur se përpjekja e saj për të blerë nga SHBA-ja avionë luftarakë F16 do të haste në vështirësi të mëdha në kongresin amerikan, dhe ashtu ndodhi.

Ligjvënësit, demokratë e republikanë, i kërkuan qeverisë të mos ia shesë këto avionë Ankarasë.

Në një letër drejtuar Presidentit Biden e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, njëmbëdhjetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën shqetësim rreth mundësisë që Turqia të blejë 40 F16-ta të rinj nga “Lockheed Martin” dhe 80 sete modernizimi për avionët e këtij lloji.

Pas njoftimit të Presidentit Erdogan në shtator se Turqia do të blejë një pjesë të re të sistemeve ruse për mbrojtje raketore, S-400, ne nuk mund ta përballojmë kompromisin ndaj sigurisë sonë kombëtare duke i dërguar avionë të prodhuar në SHBA një aleati të traktatit që vazhdon të sillet si kundërshtar”, thuhet në letër.

Kemi besim se Kongresi do të qëndrojë i bashkuar për të bllokuar eksporte të tilla”, theksohet më tej.

“Reuters”, raportoi disa javë më parë se Turqia i ka bërë kërkesë ShBA-së për blerjen e 40 avionëve luftarakë “F-16”.

Ankaraja më parë kishte porositur më shumë se 100 avionë F35 nga “Lockheed Martin”, por Washingtoni e përjashtoi nga programi për prodhimin e tyre në vitin 2019, pasi turqit blenë sistemin rus të mbrojtjes ajrore, S-400.

Top Channel