Australia zotohet t`i çojë emetimet në zero, kritikët: Përralla, po gënjejnë

26/10/2021 15:33

Australia, një nga ndotësit më të mëdhenj në botë, premtoi t`i çojë në zero emetimet e karbonit deri në vitin 2050.

Kryeministri Scott Morrison u mburr me planin që synon reduktimin e ndjeshëm të emetimeve, megjithëse ai nuk përfshin mbylljen e sektorëve që përdorin lëndë djegëse fosile, të cilat shkaktojnë dhe problemet më të mëdha.

Ne nuk do të marrim mësime nga të tjerët që nuk e kuptojnë Australinë. Mënyra australiane ka të bëjë me atë se si bëhet dhe jo a bëhet… Ka të bëjë me realizimin e saj”.

Por kritikët nuk binden nga premtime të tilla. Eksperti i mjedisit në Universitetin Murdoch, Joe Fontaine, tha se deklaratat e Morrison kishin “të gjithë forcën e një qese letre të lagur”.

Për të frenuar efektet negative të ndryshimeve klimatike, vendet janë zotuar të kufizojnë rritjen e temperaturave në 1.5 gradë Celsius, deri në vitin 2050.

Kjo kërkon uljen e emetimeve për 45% deri në vitin 2030 dhe arritjen e vlerës zero deri në vitin 2050, thonë shkencëtarët. Australia i ka zvarritur prej kohësh veprimet e saj klimatike, e kjo ka çuar në mosmarrëveshje te forta mes saj dhe aleatëve strategjikë.

Top Channel