Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës për vepra të ndryshme penale ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Një 35-vjeçare e identifikuar me inicialet K.B., banuese në Libonik, Maliq ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim. Në kuadër të operacionit “Perimetri”, për të dhe 35-vjeçarin, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, që është ende në kërkim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ndërsa dy të tjera të identifikuar si F. S., 38 vjeç dhe V. B., 37 vjeç, banues në Korçë, janë arrestuar sepse kanë vjedhur derën e përbashkët të një hyrjeje pallati në lagjen nr.10.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera rezulton se V. B., është autori i dyshuar edhe i tre vjedhjeve të tjera konkretisht:
-Më datë 02.09.2021, në bashkëpunim me një person tjetër, ka vjedhur 6.000 lekë, tek arka e hedhjes së kontributeve në Kishën “Ringjallja e Krishtit”, Korçë.
-Më datë 07.10.2021, në lagjen nr. 17, Korçë, ka vjedhur sende metalike dhe kabuj elektrikë.
-Më datë 13.10.2021, në lagjen nr. 3, Korçë, në bashkëpunim me shtetasin E. Z.(i arrestuar më parë) ka vjedhur një objekt antik prej bakri me vlerë 30.000 lekë, në banesën e shtetases M. A.
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të T. A., 28 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, pasi në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, u kap duke drejtuar mjetin tip “Renault”, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Top Channel