Një grua në Tiranë u përpoq ta shpëtonte nga hetimi bashkëshortin e saj, duke u justifikuar se frakturat në fytyrë dhe në trup i kishte shkaktuar vetë.
Por, kundër kësaj dëshmie dolën fqinjët që treguan se dhunues ishte i shoqi.
44-vjecari me inicialet E. SH do të dale para gjykatës të hënën për akuzën e dhunës në familje dhe nismëtarët e prangosjes së tij janë banorët e pallatit që kërkuan policinë, mbasi dëgjuan britma. Përkundër denoncimit të tyre, kur policia mbërriti në banesë dhe gjeti gruan e keqtrajtuar që e dërgoi menjëherë në spital prokuroria i tha Top Channel se ajo tentoi ta shpëtoje partnerin nga prangat duke u vetëfajësuar.
Por, policia përshkruan se ngado në banese kishte sende të thyera dhe gruaja ka shenja në të gjithë trupin. Megjithatë, gruaja tha se mbasi bashkëjetuesit i mbërriti një mesazh i dyshimtë ajo nga xhelozia theu një shishe vere në kokë e mandej u qëllua kudo në supë, kraharor, ballë dhe gjymtyrë.
Pyetjes se si i shkaktoi këto plagë, ajo i përgjigjet “nuk mbaj mend asgjë dhe as që e kam idenë se sa ka qenë ora kur mbërriti policia”. Dhe teksa ajo ka refuzuar të firmose kallëzimin, prokuroria thotë se i ka nisur një seri pyetjesh mjekësisë ligjore për të kuptuar shkencërisht nëse mund të shkaktohen plagë të tilla vetë, edhe pse është e bindur se ajo është dhunuar nga i shoqi, një burrë i proceduar dhe herë tjetër për vepra të tjera.
E ndërsa gratë përherë e më shumë janë ndërgjegjësuar duke mos u pajtuar me dhunën, prokuroria e Tiranës deklaron për Top Channel se po vihet re një fenomen i ri , fqinjët po denoncojnë se çfarë ndodh përtej mureve të tyre.
Komisariati digjital konfirmoi gjithashtu se çdo muaj gati 15 telefonata regjistrohen nga fqinjët që janë të bindur se në banesën ngjitur po ndodh diçka .
Top Channel