Pastrimi i parave, më shumë luftë/ BE: Duhen vendime të formës së prerë për sekuestro

21/10/2021 12:19

Shqipëria ka një problem me pastrimin e parave. Progres Raporti i Komisionit Europian reflekton edhe shqetësimet e MoneyVal, institucioni kryesor për luftën ndaj pastrimit të parave në BE.

Shqipërisë i janë kërkuar disa reforma në këtë drejtim si krijimin e regjistrit të pronarëve përfitues dhe regjistrin e llogarive bankare.

Edhe pse mekanizmat janë shtuar, raporti thekson se vendi çalon për të çuar prapa hekurave personat që abuzojnë me fenomenin.

Profesori Sotiraq Dhamo shprehet se pastrimi i parave është evident, ndërsa institucionet nuk kanë vullnet për të vepruar:

 “Është evidente që në Shqipëri ka një “bum” ndërtimesh. Kudo flitet për varfëri dhe nga krahu tjetër shohim kulla të mëdha që ndërtohen, shtëpi që blihen me çmime të kryeqyteteve evropiane dhe institucionet nuk zbardhin asgjë.

Nëse blihet një shtëpi 250 mijë euro, atëherë kjo bëhet nëpërmjet noterit. Por, noterit nuk i kërkohet kurrë se nga vjen ky burim të ardhurash. Duhet vullnet politik. Ligjet i kemi evropiane, por zbatimi i tyre lë për të dëshiruar.”

MoneyVal e rendit Shqipërinë në listën e vendeve gri dhe pozicioni i saj është përkeqësuar në luftën ndaj pastrimit të parave. Institucioni ka theksuar se Shqipëria vijon të jetë përgjithësuese në kontrollin e bizneseve financiare dhe jofinanciare, pa marrë hapa konkretë dhe hetim të thelluar.

Kjo është konfirmuar edhe nga një tjetër raport prestigjioz siç është Indeksi i Bazelit, që Shqipërinë e zbriti me 28 vende në publikimin e përvitshëm për pastrimin e parave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA