Propozimet kushtetuese të PD-së/ Rikthim të koalicioneve parazgjedhore dhe komunave! Të dënuarit mos të kandidojnë

19/10/2021 10:02

Partia Demokratike ka publikuar sot paketën e plotë të propozimeve për ndryshimet në Kushtetutë, ku kërkon Vetting të politikanëve, rikthim të koalicioneve parazgjedhore dhe ndryshime në reformën territoriale, duke kërkuar rikthim të komunave.

PD kërkon shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të bëra në korrik të vitit 2020, duke kërkuar ndryshim të pikës 3 të nenit 45, ku nuk lejohet të kandidojnë ata që nuk kalojnë Vettingun e politikanëve.

Vetting i politikanëve

Demokratët propozojnë që duhet të përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur personat që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose ata që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, me pasuri të pajustifikuar.

Çdo politikani duhet t’i verifikohen pronat, sendet apo detyrimet financiare. Sipas propozimit, pasuria konsiderohet e ligjshme, vetëm nëse përfshijnë të ardhura të ligjshme, si dhe çdo pasuri tjetër e fituar me mjete të ligjshme.

Sa i përket pastërtisë së figurës, duhet të verifikohen kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas PD-së, asnjë nuk mund të kandidojë nëse është përfshirë në krime, apo ka precedent penal.

Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputetët e Kuvendit, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetarët e bashkive, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, bashkë me familjarët e tyre.

Fjalia e parë, e pikës 3 të nenit 45, ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Rikthim i koalicioneve parazgjedhore

Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD propozon rikthimin e tyre në Kushtetutë.

Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.”

Rikthim i komunave

PD kërkon të ndërhyjë në reformën territoriale, ku sipas tyre duhet të rikthehen komunat me të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore. Kjo kërkesë e demokratëve vjen, sipas tyre, për shkak të mungesës së shërbimeve në fshatra që janë shumë të largëta në territor nga bashkitë.

Pika 1 dhe 3 e nenit 108 ndryshohet si vijon: “1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.

Paketa e plote e ndryshimeve kushtetuese nga PD

Top Channel