“Duhet ndalur”, Rama për protestat: Hajvanët që përdorin kërcënime dhe bullizëm po shfaqin frymë fashiste

14/06/2026 09:58

Në episodin e sotëm të podkastit ‘Flasim’, kryeministri Edi Rama foli për protestat, që kanë hyrë në ditën e 15-të.

Në lidhje me frymën e protestës, ai u shpreh se një pjesë e kësaj sjelljeje vjen nga individë që, sipas tij, ushtrojnë presion dhe kërcënime ndaj atyre që kanë mendime të ndryshme, duke i cilësuar disa prej tyre si “hajvanë”.

“Fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë “delja e zezë” e Europës për vite, vite të tëra pastaj. “Greqia është e grekëve”, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera.

Fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.”, tha Rama ku shtoi “Është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur”.

Top Channel