Berisha takim me fermerët në Cërrik, thirrje të rinjve: Bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë

13/06/2026 22:55

Sali Berisha nuk do t’i bashkohet protestës në Tiranë, por mbështetja e tij ndaj lëvizjes qytetare nuk mungon.

Nga Cërriku, ku mblodhi në një takim fermerët, Berisha iu bëri thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës.

 “Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë. Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot”, tha Berisha.

Kreu i opozitës vlerësoi revoltën qytetare, që nisi pas dhunës në Zvërnec, duke kërkuar, ashtu si protestuesit, rrëzimin e Ramës nga pushteti.

“As në Korenë e Veriut nuk veprojnë në këtë mënyrë. Të gdhihet fshati në mëngjes gjendet i rrethuar me tela me gjemba. Ku jemi kështu? Ndaj dhe edhe një herë, thirrja ime, në mënyrë që të realizojmë këto programe transformuese, duhet ta përcjellim një minutë e më parë Edi Ramën, i cili për çdo gjë mund të mendojë, por jo për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.

Gjatë takimit me fermerët në Cërrik, Berisha premtoi se, nëse vjen në pushtet, mbështetja për bujqësinë dhe blegtorinë do të jetë një nga përparësitë më të mëdha.

 

Top Channel