Kjo pamje e turpshme do t’i ndjekë nga pas tifozët e dhunshëm që dje në stadiumin Air Albania meritonin kartonin e kuq. Tifozët janë lojtari i 12 në çdo ndeshje të kombëtares dhe dje në nisje të takimit Shqipëri Poloni ishte e mrekullueshme pamja e stadiumit që skuqve nga flamujt dhe ngjyrat kombëtare.
Por dje lojtari i 12 u kthye në lojtarin më të keq. Përkundër ndeshjes së pastër që futbollistët e kombëtares luajtën në fushë, në shkallët e stadiumit ndodhën akte të papranueshme dhune. Të brohorasësh kur ekipi yt fiton është normale, por të qëllosh me shishe lojtarët e ekipit kundërshtar kur fiton, jo vetëm që është e papranueshme por duhet të reagohet me forcë në mënyrë që akte të tilla të mospërsëriten.
Por mes zërave që dënojnë aktet e dhunës nuk është aspak federata shqiptare e futbollit e cila ka heshtur për këtë ngjarje për të cilën edhe ajo ka përgjegjësi.
Pas këtyre veprimeve që e shënjuan stadiumin e ri air albania në listën e stadiumeve ku ndodhin akte dhune, është e pritshme që të ketë një dënim nga FIFA. Reagimi i parë i tyre ishte tolerancë zero për aktet e dhunës.
Por pavarësisht FIFA-s duhen marrë masat që raste të tilla të mos përsëriten dhe tifozë të tillë të dhunshëm mos shkelin më në stadium kur luan ekipi kombëtar. Autoritete kanë mundësinë që nëpërmjet pamjeve filmike të evidentojnë të dhunshmit dhe ti penalizojnë ata.
Top Channel