Gjermania skuadra e parë europiane që pret biletën për në Katar 2022!

12/10/2021 08:27

Kualifikueset “Katar2022” në zonën Europiane dhuruan emocione, gola, surpriza dhe në fund, biletën e parë për në Kupën e Botës.

Gjermania është skuadra e parë e kontinentit të vjetër që siguron biletën për në Kupën e Botës, Katar 2022. Një kualifikim i cili erdhi pas triumfit ndaj Maqedonisë së Veriut në transfertë, me rezultatin 0-4. Një sukses i cili u firmos në pjesën e dytë, me Havertz i cili shënoi në minutën e 50-t. Në harkun e tre minutave, Timo Werner shënoi një dopietë personale duke i dhënë një goditje të fortë vendasve, me sulmuesin e Chelsea-t që shënoi në minutat 70 dhe 73, ndërsa në fund kishte kohë edhe për një gol, me Musiala-n që shënoi në minutën e 83-t. Tetë ndeshje, 7 fitore dhe 1 humbje, i mjaftojnë Gjermanisë dhe Flick për të prekur Katarin.

Hap të sigurt drejt kualifikimit hodhi edhe Hollanda në grupin G, e cila u argëtua përballë Gjibraltarit,me tulipanët që fituan 6-0. Van Dijk shënoi pas 9 minutash lojë, ndërsa në minutën e 21-t Depay dyfishoi rezultatin. Sulmuesi i Barcelonës gjeti rrugën e rrjetës edhe në minutën e 3-t shtesë në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë Dumfries shënoi pas 3 minutash lojë. Mbrëmja u kompletua nga golat e Danjuma-s i cili firmosi manitën në të 75-ën dhe Malen që shënoi 4 minuta nga fundi.

Në ndeshjet e tjera, Norvegjia nuk gaboi në shtëpi, duke mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit, pasi mundi Malin e Zi minimalisht 2-0, me dy golat e Elyounoussi-t, në minutat 29-t dhe 96-t. Burak Yilmaz shpëtoi Turqinë në frymën e fundit, pasi me golin e minutës së 98-t përmbysi Letoninë në transfertë.

Në Grpin J, aty ku tashmë luhet vetëm për vendin e dytë, Rumania mori vendin e dytë, pasi mundi Armeninë 1-0, me golin e Mitrita-s në minutën e 26-t. Në takimin tjetër, Islanda mundi thellë dhe pastër Litenshtejnin me rezultatin 4-0./SuperSport/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA