Partia Demokratike pritet t’i drejtohet brenda javës Prokurorisë së Posaçme SPAK për të depozituar padinë penale për tri tenderat e fundit të blerës së energjisë.
BASHA: E kanë shitur për 60-70 milionë pasurinë hidrike të shqiptarëve në verë, dhe tani duan të blejnë me trefish të çmimit. Në një vend normal, me institucione normale, sot nga i pari i sektorit, tek drejtuesit famëkeq nga Çela i Durrësit e të tjerët duhet të ishin të paktën të pandehur. Një thirrje për SPAK, jeni aty për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë zyrtarët dhe politikanët e lartë që abuzojnë dhe që vjedhin pasuritë e shqiptarëve.
Mazhoranca rrëzoi ngritjen e Komisonit Hetimor Becheti, por Lulzim Basha nuk pranon refuzim.
BASHA —Kanë filluar t’iu merren 120 milionë euro për të dëmshpërblyer Bechetin. Të fshehësh dosjen ndoshta më të madhe korruptive të këtyre viteve, nuk është në interes të Shqipërisë, është në interes të Edi Ramës, Erion Veliajt, Ëngjëll Agaçit dhe Alma Hiçkës.
Krahas përballjes me kundërshtarin politik , Lulzim Basha ka një tjetër betejë brenda partisë. Flamur Noka kritikoi gjuhën që kryedemokrati sipas tij përdori ndaj anëtarësisë së PD-së në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar. Një pjesë të qëndrimit bashkë me kërkesën për dorëheqje Basha pati mundësinë ta dëgjonte teksa nxitonte për në automjetin e tij.
FLAMUR NOKA: Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Pra nuk ka guxuar askush përveçse Zoti Basha askush tjetër. Dorëheqja duhet të jetë e vetmja zgjidhje për ta bashkuar e rimëkëmbur këtë forcë.
Selia blu zyrtarisht sqaroi se termi “llum” nuk është përdorur për anëtarësinë, por për ata të cilët ne qeverisjen e PD-së janë pasuruar me paratë e korrupsonit dhe sot po përdorin anëtarësinë për interesa personale në bashkëpunim me Ramën.
Top Channel