Kapet kirurgia e rreme kozmetike që gjymtoi 11 pacientë, duke i lënë me shenja të tmerrshme në Beograd (fotot)

05/10/2021 16:24

Një kirurge e rreme kozmetike e njohur ndryshe si “Doktoresha Barbi” përballet me burg pasi ka gjymtuar të paktën 11 pacientë burra e gra, me operacione të dështuara kozmetike, që i kanë lënë ato me shenja të tmerrshme.

Olgica Markanovic dhe një bashkëpunëtore e saj mund të burgosen deri në tre vjet për kryerje të paautorizuar dhe të paliçencuar të procedurave kozmetike ne Serbi.

Serbia Olgica Markanovic akuzohet për plagosjen ose gjymtimin e të paktën 11 njerëzve me operacione të dështuara kozmetike.

Kirurgia e rreme u arrestua muajin që shkoi në kufirin serbo-kroat dhe del së shpejti në gjyq për operacionet ndaj 11 personave që i lanë ata me lëkurë të djegur dhe shenja të përhershme djegieje, disa prej të cilëve nuk mund të ushqeheshin për muaj me radhë.

Kjo është tentativa e dytë e ndjekjes penale të Markanovic nga prokurorët, teksa herën e parë gjyqi u shty prej mungesës së bashkëpunëtores së saj Jasmina T.

Markanovic akuzohet se ka kryer procedura kirurgjike ilegale e të palicencuara ndaj të paktën 11 personave nga maji 2020 deri në mars të këtij viti.

Ajo akuzohet se ka përdorur një “stilolaps plazme” te pacientët e saj që ka shkaktuar dëme të përhershme dhe djegie të gradës së dytë e të tretë te pacientët, shkruajnë mediat kroate.

Dyshja ka përdorur gjithashtu klorid lidokaine për anestezinë lokale, një mjekim që mund të shkaktojë reagime alergjike fatale.

Markanovic mohon akuzat duke thënë se nuk është përfshirë në procedura për të cilat nuk është e licencuar.

Ajo thotë se shërbimet e saj ishin kozmetike dhe jo kirurgjike pasi nuk ishte prezantuar kurrë si ekspertë të mjekësisë.

Ajo pretendon më tej se stilolapsi i plazmës nuk është një instrument mjekësor por kozmetik, për të cilin ka çertifikatën përkatëse.

A akuzuara akuzon vetë pacientët për shkaktimin e plagëve të tyre , duke pretenduar se nuk kishin zbatuar udhëzimet e periudhës së rekuperimit, si për shembull të evitonin shtratet e solarit apo ekspozimi ndaj dritës së diellit.

11 ish-pacientët e saj kanë paditur gruan në mars 2021 duke thënë se ishin lënë të shpërfytyruar pas trajtimit në sallonin e saj në Beograd.

Një nga viktimat që nuk dëshironte të identifikohej tha për rrjetin kroat Blic: “Kur u njoha me të ajo e prezantoi veten si ‘Presidente e Estetikës’.”

Ai shtonte: “Ndërsa më pas ajo u prezantua vetë te e dashura ime si ‘doktoreshë e kualifikuar’”.

Një tjetër viktimë tha se  kishte shkuar në sallonin e Markanovic për një ndërhyrje në hundë e në vetulla, por kishte përfunduar me të djegura në fytyrë dhe për disa muaj nuk mund të hante e të pinte.

FOTO GALERI
5/5
Ajo akuzohet se ka përdorur një "stilolaps plazme" te pacientët e saj që ka shkaktuar dëme të përhershme

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA