Disa persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor ku është përfshirë një automjet policie dhe një automjet tip ‘Volkswagen Passat’, në orët e para të mëngjesit të sotëm në Britani.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:40, në autostradën A66, në zonën South Bank, pranë Middlesbrough, në Teesside.
Sipas autoriteteve, automjeti i policisë u përplas me një Volkswagen Passat. Numri i saktë i viktimave ende nuk është konfirmuar, ndërsa policia po punon për identifikimin e tyre.
Policia e Clevelandit bëri të ditur se fillimisht ishte raportuar se në aksident ishin përfshirë tre automjete, por më pas u konfirmua se bëhej fjalë për dy automjete.
Shërbimi i Ambulancës së Verilindjes së Anglisë tha se dërgoi 14 ekipe në vendngjarje, të cilin e përshkroi si një aksident “serioz”. Sipas shërbimit, “një numër pacientësh kishin vdekur”.
Si pasojë e aksidentit, autostrada A66 është mbyllur në të dyja drejtimet, në segmentin mes Normanby Road dhe Church Lane. Autoritetet kanë paralajmëruar se rruga pritet të qëndrojë e mbyllur për një kohë.
Në vendngjarje ndodhen një numër i madh automjetesh të shërbimeve të emergjencës, ndërsa drejtuesve të mjeteve u është kërkuar të përdorin rrugë alternative.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.
Top Channel