Ish-kryeministri i Estonisë dhe ish-zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Siim Kallas, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Kaja Kallas njoftoi të shtunën në mëngjes se babai i saj kishte ndërruar jetë gjatë natës.
Kush ishte Siim Kallas?
Siim Kallas ishte një nga figurat e rëndësishme të politikës moderne estoneze. Ai shërbeu si kryeministër i Estonisë nga viti 2002 deri në vitin 2003, ndërsa më herët kishte mbajtur postet e ministrit të Jashtëm dhe ministrit të Financave.
Pas përfundimit të detyrës si kryeministër, Kallas u angazhua në institucionet evropiane. Nga viti 2004 deri në vitin 2014 shërbeu si komisioner evropian dhe më pas si zëvendëspresident i Komisionit Evropian, duke mbuluar ndër të tjera portofolin e Transportit.
Kallas luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në transformimin ekonomik të Estonisë pas rikthimit të pavarësisë. Ai drejtoi Bankën e Estonisë nga viti 1991 deri në vitin 1995 dhe ishte i përfshirë në procesin e reformës monetare të vendit.
Vajza e tij, Kaja Kallas, është aktualisht Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.
Top Channel