Mario Rui “tradhton” Napolin, Legia shtang Leicesterin, Olympiacos “pushton Stambollin

01/10/2021 00:24

“Ndaj rusëve nuk do të jetë e lehtë, pasi vlerësojnë maksimalisht ndeshjet europiane”, pati paralajmëruar dje Luciano Spalletti, por të tijtë duket se nuk e vlerësuan deklaratën e trajnerit dhe panë të mposhteshin 2-3 me përmbysje nga skuadra e Spartakut të Moskës.

Napolitanët e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e parë me maqedonasin Eljif Elmas, megjithatë më pas u “tradhtuan” nga portugezi Mario Rui që u ndëshkua me karton të kuq në të 29-ën dhe la të tijtë përreth një orë lojë me një lojtar më pak.

Kaq mjaftoi që rusët të gjejnë golin e barazimit me Quincey Promes në fillim të pjesës së dytë dhe më pas të marrin avantazhin me Ignatov në të 81-tën. Numrat në fushë u balancuan në minutën e 82-të, por pikërisht kur Napoli u hodh në sulm për të shmangur humbjen, holandezi Promes shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Spartaskun e Moskës.

Victor Osimhen provoi të rihapë takimin në minutën e 94-t, por nuk kishte më kohë për të shmangur humbjen dhe tani Napoli do të duhet të mendojë për dopio-sfidën me Legian, ku është i dëmtuar të fitojë, për të mos rrezikuar kalimin më tej.

Dy javë më parë befasoi me një gol në minutat shtesë rusët e Spartakut të Moskës, ndërsa mbrëmjen e sotme Legia e Varshavës festoi një tjetër sukses minimal, këtë herë përballë një emri të madh si anglezët e Leicester.

Polakët gjetën golin në minutën e 31-të me anë të Emreli, ndërsa në fushë nuk ishte titullar asnjë nga tre shqiptarët dhe në pjesën e dytë u aktivizua për 20 minuta vetëm sulmuesi i Kosovës, Lirim Kastrati.

Një sfidë mjaft e zjarrtë u zhvillua edhe në Stamboll, ku Fenerbahce vendase priti grekët e Olympioacos, me këta të fundit që morën tre pikët falë një fitoreje bindëse 0-3. Soares zhbllokoi sfidën për grekët në minutat e para, ndërsa më pas në pjesën e dytë ishte Masouras që shënoi dy herë, duke vulosur suksesin.

Pas barazimit 2-2 me Real Sociedadin, holandezët e PSV Eindhoven ia dolën të triumfojnë me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj austriakëve të Sturm Graz-it. Në sfidën tjetër të grupit, baskët e Real Sociedad nuk shkuan dot përtej barazimit 1-1 ndaj francezëve të Monaco.

Merr fitoren e dytë në po kaq ndeshje në grup, edhe Lyoni, që ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj danezëve të Brondby-t. Këta të fundit u mbrojtën mirë, por rezistuan vetëm 64 minuta, sepse më pas e nxorën tre herë topin nga rrjeta.

Eintrachti i Frankfurtit mori tre pikët vetëm në minutat shtesë, kur Pacienca ekzekutoi saktë një penallti dhe vulosi fitoren minimale 0-1 në transfertën ndaj belgëve të Antwerp, ndërsa Sparta e Pragës triumfoi po me shifrat 1-0 ndaj Rangers.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA