Policia e Beratit ka vënë në pranga administratorin e një firme dezinfektimi, i cili ka pajisur subjekte të ndryshme tregtare, me certifikata dezinfektimi të falsifikuara, kundrejt përfitimeve monetare.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se i arrestuari në kuadër të operacionit të koduar “Certifikata” është një 58-vjeçar.
“Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit monetar nga kjo veprimtari, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Berat, pas një hetimi tremujor, finalizoi operacionin “Certifikata”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasit:
E.D. 58 vjeç, banues në Berat.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. D., me detyrë administrator i një subjekti që kryen dezinfektime, ka pajisur subjekte të ndryshme tregtare, me certifikata dezinfektimi të falsifikuara, kundrejt përfitimeve monetare”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv në sektorin privat”.
Top Channel