Harry Kane u jep përgjigje kritikave, pasi hyri në fushë në minutën e 60’ të ndeshjes Tottenham-Mura, e vlefshme për Conference League, por i mjaftoi vetëm gjysmë ore për të dërguar tre herë topin në rrjetë.
Pas barazimit me Rennes në transfertë, “Spurs”-at ishin të dënuar të fitojnë ndaj sllovenëve dhe e bënë këtë duke dominuar e shënuar dy gola të shpejtë, me Dele Alli në minutën e 4-t dhe Giovani Lo Celso në të 8-ën.
Miqtë nga Sllovenia provuan të rihapin takimin me golin e Kous në minutën e 53-të, por më pas skenën e mori kapiteni i Tottenham, Harry kane që shënoi tre herë në harkun e 20 minutave, i dha tre pikët klubit londinez dhe me meritë mori topin e ndeshjes në shtëpi. Po në këtë grup, francezët e Rennes ia dolën të triumfojnë me rezultatin 1-2 në transfertën holandeze ndaj Vitesse Arnhem. Këta të fundit e mbyllën pjesën e parë në avantazh, por Rennes përmbysi gjithçka brenda minutës së 72-të dhe më pas ruajti rezultatin, ndonëse mbeti me një lojtar më pak përreth 20 minuta.
Gjermanët e Union Berlin triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Maccabi Haifa, ndërsa Baseli mposhti 4-2 Kairat Almaty-n dhe Feyenoord fitoi me shifrat 2-1 ndaj çekëve të Slavias së Pragës.
Top Channel