Kuvendi i arbëreshëve/ Takimi në Tiranë për të mbrojtur gjuhën nga rreziku i zhdukjes

27/09/2021 20:37

600 vjet histori të arbëreshëve, të cilët janë konsideruar edhe si shembull unik në gjithë historinë e trashëgimisë botërore, për shkak të mbijetesës së tyre etnike, kulturore e gjuhësore do të shqyrtohen në universin studimor të rreth dy shekujve.

Në kuvendin e arbëreshëve që bashkon emrat më autoritarë të studimeve sot, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët  mundëson për herë të parë një pikëvështrim të ri të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët.

 “Ky aktivitet i cili mbahet në Muzeun Historik Kombëtar mëton të nxjerrë në pah arritjet e deritanishme në fusha të ndryshme të studimeve mbi universin arbëresh si në studimet gjuhësore, studimet letrare, etnografike, antropologjike etj”, tha Diana Kastrati.

Zef Chiaramonte, një prej të ftuarve jep këndvështrimin e tij në lidhje me propozimin e vendosjes së gjuhës shqipe standarde tek arbëreshët.

 “Sot profesori Emil Lafe foli për vendosjen e gjuhës shqipe standarde tek ne. Kjo është e pamundur dhe krijon një reagim. Secili vendbanim do mbajë gjuhën e vet. Nga ana e gjyshes, nëna e babës jam Muzak. Por i kemi humbur lidhjet. Megjithatë dimë nga kënga “O e bukura More” dhe nga të folme që shumica vinin nga Peloponezi i sotëm”, tha Zef Chiaramonte

Një ndër debatet e kohëve të sotme moderne, është rrezikimi i gjuhës arbëreshe. Joseph Musacchia dhe familja e tij e ka humbur këtë gjuhë për shkak të emigrimit të hershëm në Amerikë.

 “Jam Joseph Musacchia . Një pjesë e madhe e familjes sime u zhvendosën në Amerikë në fillim të viteve 1900. Tashmë jetoj në Tiranë. Gruaja ime është shqiptare. Kemi një program kërkimi për fëmijë dhe u zhvendosëm këtu. Shumë njerëz nuk e dinë që ne arbëreshët nuk e kemi harruar prej nga kemi ardhur. Stërgjyshi im Francesko Musacchia ishte një nga drejtuesit e Kongresit të Triestes dhe përdori ndikimin politik pro Shqipërisë”, tha Joseph Musacchia.

Arbëreshët i janë drejtuar UNESCO-s për të ndihmuar në konservimin e pasurisë jomateriale si dhe të ritualeve të Motit të Madh.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA