Fantazisti kolumbian James Rodriguez është vetëm një hap larg prezantimit të klubi nga Katari, Al Rayyan.
Futbollisti udhëtoi drejt Katarit ditën e hënë dhe pasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore, ka hedhur edhe firmën mbi kontratë, ndërsa klubi ka njoftuar se në orët e ardhshme pritet edhe prezantimi zyrtar.
I mbetur jashtë projektit te klubi anglez i Evertonit, fantazisti 30-vjeçar vendosi të largohet nga Europa, por burime pranë futbollistit konfirmojnë se bëhet fjalë thjesht për një mirupafshim, jo një lamtumirë.
Pas transferimit të James Rodriguez te Al Rayyan, duket se fshihen pronarët e Paris Saint Germain, që i kanë ofruar futbollistit një kontratë 3-vjeçare me klubin në Katar dhe njëkohësisht mundësinë për t’u bashkuar shumë shpejt me kryeqytetasit francezë.
Thënë ndryshe, klubi i Al Rayyan po përdoret për të blerë me çmim simbolik kartonin e James, ndërsa këtij të fundit do t’i duhet t’u tregojë drejtuesve të PSG-së se ka ende për të dhënë në futbollin e niveleve të larta, për t’u transferuar më pas në kampionatin francez.
James Rodriguez ka një karrierë mjaft të pasur, pasi më herët ka veshur fanellat e klubeve prestigjoze si Porto, Monaco, real Madrid, Bayern Mynih dhe së fundi Everton, ku shkoi sezonin e kaluar me kërkesë të Carlo Ancelottit, por përfundoi jashtë planeve pas largimit të italianit.
Top Channel