Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka siguruar dosjen e çështjes së ashensorit që u shkëput në një pallat në Astir dhe mbetën të plagosur 5 persona, mes tyre një grua shtatzënë.
Qytetarët ishin kthyer nga një darkë familjare kishin marrë ashensorin për të zbritur poshtë, por dëgjuan një zhurmë të çuditshme që u shkaktua nga shkëputja dhe pësuan dëmtime në këmbë.
Dylbere Qordja ka shpjeguar se rreth orës 23:50, nga banesa e saj kanë dalë të afërm, të cilit kishin shkuar për vizitë me qëllim për tu larguar. Sipas saj, në kohën që të afërmit kanë marrë ashensorin për të zbritur nga kati i katërt në katin zero, ka dëgjuar një zhurmë të madhe që vinte nga ashensori.
Menjëherë ka zbritur poshtë dhe ka vënë re që ashensori kishte ndaluar pothuajse në katin e parë të pallatit. Aty menjëherë kanë hapur dyert e ashensorit me forcë ku kanë nxjerrë personat që ishin brenda. Më pas kanë njoftuar ambulancën si dhe policinë të cilët kanë rrethuar vendin e ngjarjes. Ajo ka shpjeguar se kjo ngjarje i ka shkaktuar tronditje psikologjike si personave të lënduar si dhe asaj pasi në ashensor ishin 5 pjesëtar të familjes. Po kështu, tregoi dhe një episod para 2 muajve kur disa persona të tjerë, po kushërinjtë e saj janë bllokuar brenda dhe aty ka ardhur administrator i cili ka hapur dyert me çelës, thuhet në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Ndërsa një e plagosur e identifikuar me inicialet M.S., e cila ndodhet në spitalin e Traumës ka shpjeguar se kanë dalë nga shtëpia e kushërirës dhe ka hipur në ashensor bashkë me dy vajzat e moshës 5 dhe 7 vjeç, si dhe tre persona të tjerë të familjes. Sapo ashensori filloi të zbresë poshtë, kanë dëgjuar një zhurmë të çuditshme ku dhe është shkëputur menjëherë duke rënë në gjendje të lirë poshtë. Sipas saj, kjo rënie ka zgjatur rreth 3 sekonda dhe ashensori ka ndaluar duke dhënë një goditje të madhe. Si pasojë e goditjes ka ndjerë dhimbje tek pjesa e këmbëve. Pasi familjarët kanë hapur derën e ashensorit me forcë, është transportuar me ambulancë në spital dhe thotë se ndjen dhimbje nga mesi e poshtë.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka lënë në “arrest shtëpie” teknikun Dëfrim Shabanaj derisa të dalë akt ekspertimi, pavarësisht se prokuroria kërkoi “arrest me burg”.
Top Channel