Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan e gjeti veten në një pozicion të vështirë gjatë një ceremonie për inaugurimin e një ure në qytetin e Rizës.

Në rreshtin e parë, duke mbajtur shiritin e përurimit ishin disa fëmijë. Por ndërsa Erdogan po mbante fjalimin e rastit, njërit prej tyre, një djali të vogël, nuk iu durua. Fëmija e preu vetë shiritin, një veprim ky i cili nuk i pëlqeu aspak presidentit turk.

Pasi e kontrolloi se ç’po ndodhte dhe u bind se ç’ishte bërë djali, Erdogani e godet dhe e qorton. Por ndërsa fëmijët e tjerë qeshin me gjestin e kreut të shtetit turk, në rrjetet sociale, ku videoja u bë virale shumë shpejt, ka pasur reagime të forta dhe kritika ndaj presidentit, edhe pse në goditja në fakt, nuk ishte e fortë.

Tre vjet më parë, Erdogan e gjeti veten mes një tjetër stuhie mediatike kur i tha një vajze të përlotur 6-vjeçare, të veshur me uniforma ushtarake, se ajo do të ishte e nderuar nëse vritej në luftime. “Nëse do të martirizohej, do ta mbulojnë më flamurin kombëtar”, u shpreh ai përpara kongresit të partisë së vet, AK.

Top Channel