Na erdhën turistë të varfër/ Numri i turistëve pranë 2019, por të ardhurat shumë më të ulëta

06/09/2021 15:45

Sezoni turistik që vijon ende ishte dukshëm më pozitiv se ai i 2020-ës, por ende nuk po arrin nivelet rekord të 2019-ës.

Janë këto parashikimet e operatorëve turistikë, edhe pse duhen pritur të dhënat zyrtare për të parë edhe nivelin e të ardhurave që sollën turistët e huaj. Por, kush e shpëtoi këtë sezon turistik”

Veç turizmit patriotik, peshë të rëndësishme këtë sezon ka pasur turizmi vendas theksojnë operatorët ndikuar edhe nga masat kufizuese, ndërsa shtojnë se cilësia e vizitorëve të huaj ka rënë ndjeshëm duke thithur vizitorë nga vende të varfra, ç’ka sipas tyre ndikon në prurjet që sjellin në vend.

Është shumë larg 2019 jo vetëm për sasi, por mbi të gjitha edhe për cilësinë e turistëve që kanë ardhur dhe të ardhurave që shpenzojnë. Ne kemi pasur turistë më cilësorë dhe ato duhet të synojmë. Ne po marrim tregjet më të varfra të Europës. Një ndihmë shumë e madhe për turizmin ka qenë turizmi vendas i cili ishte shumë herë më i madh në numër në raport me 2019 dhe ky treg tashmë ka shpenzuar në Shqipëri dhe është një e ardhur e jashtëzakonshme, që në kushte normale kjo e ardhur nuk do jetë aty sepse në kushte normale do largohen sërish për pushime jashtë”, thotë Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve Shqiptarë.

Shqipëria duhet të synojë të rikthejë turistët cilësorë vlerësojnë operatorët që janë optimistë për një qasje të re të turizmit pas përzgjedhjes së drejtueses së re të dikasterit të ministrisë.

Jemi një vend i vogël që sasia na bën shumë dëm. Na duhet patjetër dhe e kemi të detyrueshme zgjedhjen e cilësisë dhe kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Sasia ka dëme patjetër në shumë aspekte. Në vështirësi menaxhimi të biznesit, në hotelerisë, dëme në konsum të infrastrukturës urbane të një qyteti, destinacioni për shkak të fluksit që sjell nga ana tjetër edhe trafik të rënduar. Duhet që më në fund me një ministër të ri të ketë një frymë të re bashkëpunimi që kishte munguar prej kohësh dhe mezi e kemi pritur këtë rotacion”.

Sipas të dhënave të INSTAT, deri në fund të korrikut kanë hyrë në vend mbi 2.8 milionë vizitorë të huaj, ndjeshëm më shumë se një vit më parë, ku pothuajse gjysma e tyre ishin vizitorë nga Kosova.

Top Channel