Situata e krijuar në Malin e zi, pas trazirave që shpërthyen atje me rastin e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, ka shqetësuar Bashkimin Europian.
Në reagimin e tij, Brukseli bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe hetim të dhunës. “Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e bllokut.
Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, u shugurua të dielën në Cetinjë , moment ky që shkaktoi tensione të larta midis qytetarëve malazezë dhe serbë të Malit të Zi. Ngjarja u përcoll me disa incidente, dhjetëra të plagosur dhe angazhimin e forcave të shumta policore.
Mitropoliti mbërriti në Manastir me helikopter e i rrethuar nga forca të shumta sigurie, por pas largimi ai doli me pretendimin se ishte kërcënuar me snajper, e kjo u pohua dhe zv.kryeministri Dritan Abazoviç, i cili sipas mediave malazeze organizoi ardhjen e Joanikijes përmes një aksioni të tillë për te garantuar sigurine e tij. Protestuesit hodhën akuza se tensioneve qëndron Beogradi që kërkon destabilizimin e vendit. “Këtu nuk është Serbi”, thërrisnin ata.
Ceremonia në Cetinje zemëroi kundërshtarët e Kishës Ortodokse Serbe të cilët e konsideruan atë një fyerje për betejën e Malit të Zi për sovranitet dhe shkëputje të plotë nga Serbia. Cetinja është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror, shtetëror dhe kombëtar për malazezët.
Top Channel