Kosova shënon bilanc tragjik viktimash/ Në 24 orë humbin jetën 36 qytetarë, mes tyre edhe të rinj

29/08/2021 15:44

Autoritetet në Kosovë raportuan sot se 36 persona kanë humbur jetën si pasojë e covid. Ky është numri më i lartë i viktimave, që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit 2020 dhe nga ana tjetër Kosova zë vendin e parë për humbje jete nga covid.

Sipas MSH-së, 19 viktima ishin gra dhe 17 burra. Viktimat ishin 7 nga Komuna e Gjakovës, 4nga Prizreni, nga 3 viktima u regjistruan në Gjilan dhe Klinë, nga 2 viktima në Prishtinë, Pejë, Rahovec dhe Vushtrri, ndërkaq nga 1 viktimë janë regjistruar në Viti, Semetisht, Fushë Kosovë, Vrellë, Suharekë, Cerrcë, Kamenicë, Carravranë, Ferizaj, Podujevë dhe Malishevë.

Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grupmoshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grupmoshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grupmoshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grupmoshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grupmoshës 20-29 vjeç.

Sipas raportit ditor në 24 orët paraprake janë regjistruar 1.630 raste të reja. Rastet e reja dalin pas testimit të 11.017 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Gjatë kësaj periudhe janë shëruar 816 pacientë dhe numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 113.699. Raste aktive me koronaviurs janë 26.575.

Autoritetet qeveritare e kanë cilësuar si të rëndë situatën me pandeminë në Kosovë dhe më 28 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi për masa të reja kundër pandemisë.

Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njofton se brenda një dite janë administruar 11.458 doza.

Në total, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar plotësisht me të dyja dozat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA